Shkatërrues të rinj dronësh në frontin e luftës në Ukrainë

Derisa Vladimir Putin po kalonte përgjatë një rreshti oficerësh ushtarakë në “Sheshin e Kuq” në maj të vitit 2025, një anëtar i ekipit të sigurisë së presidentit rus u pa duke mbajtur një armë të pazakontë, pjesërisht të fshehur nën një pëlhurë të zezë.

Qëkurse kjo pajisje u vërejt, shembuj të shumtë të një interceptori dronësh me të njëjtin konfigurim të pendëve të pasme janë filmuar duke rrëzuar dronë mbi fushëbetejat e Ukrainës.

Interceptori njihet si Elka (bredhi) dhe prodhohet nga një kompani e paidentifikuar në Moskë. Më sa duket kjo pajisje po përgatitet për përdorim të gjerë nga ushtria ruse si kundërpërgjigje ndaj dronëve të vegjël zbulues dhe atyre që bartin bomba, të tipit FPV.

Dronët FPV, të kontrolluar përmes kabllove me fibër optike, ka qenë pothuajse e pamundur t’i rrëzosh qëkurse u shfaqën për herë të parë në Ukrainë në fillim të vitit 2024.

Elka nuk ka mjet shpërthyes dhe mbështetet në momentumin e vet dhe në një hundë të përforcuar me maja për të shkatërruar strukturën e dronëve të armikut në momentin e përplasjes.

Ky interceptor me formë të X-it lëshohet nga një hedhes i ngjashëm me pistoletë dhe, sipas raportimeve, përfshin një sistem shënjestrimi që operatorët njerëz e aktivizojnë duke ia qepur pas mjetit të shënjestruar fluturues.

Pas lëshimit, interceptori mund ta ndjekë vet një dron deri në 1.6 kilometra larg.

Sistemi “qëllo dhe harro” eliminon nevojën për komunikim me përdoruesin, që do të thotë se nuk mund të bllokohet elektronikisht gjatë fluturimit.

Monika Ahlborn, e cila drejton faqen e njohur në rrjetet sociale “Drone Wars”, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se suksesi i dukshëm i Elkës ka të ngjarë të vijë nga kombinimi i “thjeshtësisë, kostos së ulët dhe autonomisë”.

Nuk ka një çmim të konfirmuar për pajisjen, por disa vlerësime sugjerojnë se një njësi kushton rreth 500 dollarë.

“Sistemi duket relativisht i lehtë, portativ dhe krahasimisht i lirë, gjë që e bën të përdorshëm në nivel njësie dhe jo të jetë i kufizuar vetëm në sisteme të shtrenjta të mbrojtjes ajrore”, tha ajo. Gjithashtu, sipas saj, sistemi “qëllo dhe harro” e “ul ngarkesën mbi operatorin në mjedise me ritëm të lartë luftimi”.

Një fletushkë e supozuar udhëzimi, që përfshin edhe mangësitë e pajisjes, thekson se, “duke pasur parasysh materialin nga i cili është bërë Elka, interceptori duhet trajtuar me kujdes”. Po ashtu, zbulohet se pajisja mund të përdoret vetëm gjatë ditës dhe në mot pa lagështi.

Fletushka këshillon operatorët t’i shënjestrojnë objektivat vetëm kur ato ndodhen përballë një qielli të pastër ose të mbuluar me re. Video nga përdorimi në luftë tregojnë Elkën duke ndjekur dhe shkatërruar dronë që fluturojnë në trajektore të qëndrueshme në një sfond qielli pa elemente. Një dron FPV që fluturon ulët dhe në mënyrë të çrregullt mbi një sfond të ngarkuar mund të jetë i vështirë për t’u kapur nga sistemi rus.

Në Ukrainë, një kundërpërgjigje ndaj dronëve FPV me fibër optike ka qenë përdorimi i armëve me rrjeta, të cilat lëshojnë rrjeta që hapen deri në 3.5–4 metra. Këto pajisje mund të ngatërrojnë dhe rrëzojnë dronë armiqësorë brenda një distance maksimale prej 30 metrash dhe kushtojnë më pak se 200 dollarë.

Jan Ruzicka, drejtues i shoqatës çeke “Wings of the Phoenix” që furnizon trupat ukrainase me pajisje kundër dronëve, i tha REL-it se ka dorëzuar rreth 500 armë me rrjeta dhe ka dëgjuar për rreth 40 raste “rrëzimi” të dronëve armiqësorë me këtë pajisje.

Megjithatë, ai thekson: “Kjo armë është zgjidhja e fundit, ajo përdoret kur gjithçka tjetër ka dështuar dhe droni i armikut është në fazat përfundimtare të fluturimit drejt një ushtari ose pozicioni”.

Ai shton se këto armë janë përdorur edhe kundër dronëve të ashtuquajtur “pritës”, që qëndrojnë në gatishmëri pranë rrugëve dhe shtigjeve duke pritur shenja lëvizjeje.

Iryna Rybakova, oficere shtypi në Brigadën e 93-të të Mekanizuar të Ukrainës, thotë se për misione me rrezik të lartë, armët me rrjeta janë tashmë pjesë e zakonshme e taktikave kundër dronëve.

“Ne i marrim të gjitha armët me vete”, tha ajo duke përshkruar lëvizjet pranë vijës së frontit. “Përveç mitralozave, kemi edhe pushkë gjahu dhe lëshues të vegjël rrjetash [të prodhuar nga kompania ukrainase] Ptashka”. Edhe ajo i përshkruan këto pajisje si shtresa e fundit e mbrojtjes.

Të paktën një përdorim i dokumentuar me sukses i armëve me rrjeta në luftë u regjistrua në fund të vitit 2025, ndërsa një video nga prilli 2026 tregon një ushtar të forcave speciale ukrainase duke kaluar midis një arme me rrjetë dhe një pushke teksa ndiqet nga një dron.

Ruzicka thotë se kërkesa për këto pajisje po rritet: “Kam shumë më tepër kërkesa nga ushtria sesa mund t’i mbuloj”, por shton se dobësitë e gjeneratës së parë të pajisjes janë të dukshme.

Armët me një të shtënë janë shumë të ngadalta për t’u rimbushur, gjë që do të thotë se ushtarët kanë praktikisht vetëm një mundësi për të rrëzuar një dron që i ndjek. Veteranë të tjerë të fushëbetejës parashikojnë se armët me rrjeta janë një “modë kalimtare” që ka gjasa të zëvendësohet, teksa kërkimi për një zgjidhje të qëndrueshme kundër dronëve FPV që nuk mund të bllokohen, po vazhdon.

Shija e redaktorit

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Kosova shteti i parë në Ballkan me angazhime të pranuara...

Republika e Kosovës është bërë shteti i parë nga Ballkani dhe i shtati në botë që i janë pranuar angazhimet në Kartën Globale për...

Të fundit nga rubrika