Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është rikthyer në normalitet funksionimi i elektrofiltrave në Termocentralin Kosova A, pas një ndërprerjeje të përkohshme teknike.
Sipas njoftimit të KEK në Facebook, problemi ishte shkaktuar nga një defekt në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, por situata është menaxhuar dhe zgjidhur me sukses nga stafi teknik.
KEK thekson se falë reagimit të shpejtë dhe angazhimit profesional të ekipit, janë kryer të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, duke rikthyer funksionimin normal të elektrofiltrave.
Gjatë periudhës së ndërprerjes, sipas kompanisë, janë zbatuar masa operative dhe parandaluese për mbrojtjen e aseteve dhe për menaxhimin e situatës në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore.
Korporata ka shprehur mirënjohje për stafin e Termocentralit “Kosova A” dhe ka ritheksuar angazhimin për operim të sigurt, transparent dhe të qëndrueshëm.
Prokuroria nis hetimet për ndotjen e ajrit nga KEK-u në Obiliq