Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po “poshtërohen” nga udhëheqja e Iranit në procesin e negociatave.
Duke folur para studentëve në Marsberg, Merz tha se pala iraniane po tregohet më e aftë në negociata, madje duke shmangur qëllimisht arritjen e marrëveshjeve.
Ai shtoi se amerikanët udhëtojnë për bisedime, por largohen pa rezultate.
Komentet e tij vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump anuloi një vizitë të delegacionit amerikan në Pakistan për bisedime indirekte me Iranin, ndërsa një raund i mëparshëm negociatash në Islamabad kishte përfunduar pa përparim, raporton The Guardian.
Merz kritikoi ashpër situatën, duke thënë se “një komb i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane”, veçanërisht nga Garda Revolucionare.
Nga ana tjetër, Trump ka deklaruar se SHBA-ja “i ka të gjitha kartat”, duke shtuar se Irani mund të kontaktojë nëse dëshiron bisedime.
Ndërkohë, Irani ka paraqitur një propozim të ri për armëpushim, i fokusuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke lënë për më vonë çështje si programi bërthamor, raketat dhe sanksionet.
Sipas zyrtarëve, Teherani është i gatshëm të diskutojë për programin bërthamor vetëm pasi të përfundojë bllokada amerikane, ndërsa negociatorët iranianë përballen edhe me presion të brendshëm për të mos bërë lëshime në këtë çështje.