Një jaht luksoz i lidhur me një aleat të afërt të presidentit rus Vladimir Putin ka kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht bllokadës së vendosur në këtë rrugë detare strategjike.
Jahti 142 metra i gjatë, i quajtur “Nord”, lidhet me biznesmenin rus të sanksionuar Alexei Mordashov. Ai ka udhëtuar nga Dubai drejt Muskatit në Oman gjatë fundjavës, duke u bërë një nga pak mjetet private që kanë kaluar në këtë zonë muajt e fundit.
Sipas të dhënave të platformës Marine Traffic, jahti është nisur nga Dubai të premten në mbrëmje dhe ka mbërritur në Oman të dielën në mëngjes. Rruga e tij është përdorur më herët nga anije që kanë marrë leje nga Irani për kalim.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse jahti ka marrë leje zyrtare nga Irani për të kaluar në këtë rrugë, raporton BBC.
Ndërkohë, Irani ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit pas përshkallëzimit të tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.
Më herët, Teherani kishte paralajmëruar se çdo anije që afrohet në këtë zonë mund të shënjestrohet, ndërsa SHBA ka njoftuar se forcat e saj do të ndërhyjnë ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.
Sipas ushtrisë amerikane (CENTCOM), zona e bllokadës fillon më larg nga pozicioni i fundit i raportuar i jahtit “Nord”.