Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, ka theksuar rëndësinë që Kosova të zgjedhë presidentin brenda afatit kushtetues, duke paralajmëruar pasoja serioze në rast të dështimit të këtij procesi.
Në FIVE në TV Dukagjini, ajo deklaroi se prioritet kryesor është që vendi të ketë një president me mandat të plotë pesëvjeçar deri në mesnatë.
“E rëndësishme është që presidenti të zgjidhet. Sido që mund ta interpretojnë njerëzit jashtë sallës plenare. Është e rëndësishme që sot deri në orën 12 të natës, Kosova ta ketë presidentin e ri me mandat të plotë, 5-vjeçar. Sepse besoj se çfarëdo lloj situate ndryshe prej kësaj, do të shkaktonte telashe të mëdha. Që do ti kushtonin qytetarëve e vendit tonë me shumë se sa kujtdo qoftë tjetër, që në këto momente po mendon për përfitime të veta politike se sa për interesin e përgjithshëm…
Sigurisht që përzgjidhet në mënyrë ligjore. Tash ju e dini që veprimet që bëhen brenda Kuvendit, bazohen në disa dokumente, të cilat e udhëzojnë mënyrën se si veprojmë aty brenda. Dhe kushdo që mund të interpretojë ndryshe jashtë Kuvendit , pra ka gjithmonë hapësirë për debat. Por kjo s’do të thotë që duhet të qëndrojmë prapa këtyre interpretimeve”, ka thënë Kryesiu-Hyseni.
Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar dy kandidate për presidente: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Rushiti arriti të marrë 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.
Ndërkohë, partitë opozitare që bojkotuan seancën kanë kritikuar pushtetin për nisjen e saj pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar këtë si shkelje kushtetuese.
Megjithatë, Kryeziu-Hyseni insiston se veprimet brenda Kuvendit janë të bazuara në ligj dhe procedura dhe se interpretimet jashtë institucionit nuk duhet të pengojnë procesin.
Duke iu referuar debatit për procedurat, Kryeziu-Hyseni theksoi se procesi duhet të udhëhiqet nga Kushtetuta e Kosovës, konkretisht neni 86.
Sipas saj, në rast se nuk ka pjesëmarrje të mjaftueshme në dy rundet e para, atëherë procesi kalon në rundin e tretë.
“Është e rëndësishme të bazohemi dhe në atë se çfarë e thotë Kushtetuta. Neni 86 thotë se konsumohen dy rundet e para nëse s’ekziston pjesëmarrja e mjaftueshme e deputetëve, pra kalohet tek rundi i tretë. Në Kushtetutë realisht askush nuk e gjen që thotë nuk mund të kalohet në rundin e tretë…
Unë e di që Kushtetuta mund të amandamentohet vetëm prej deputetëve dhe jo prej gjyqtarëve të Kushtetueses…. nëse është kështu është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet ta jep verdiktin mbi veprimet që janë bërë ose nuk janë bërë”, ka shtuar deputetja e VV-së.