Ish lideri i UÇK-së dhe ish Presidenti Hashim Thaçi në një intervistë nga Hagë për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziu ka folur për mënyrën se si i ndjek zhvillimet politike në Kosova, duke theksuar se nuk synon të rikthehet në garën politike.
Thaçi është shprehur se përpiqet fillimisht të ruajë balancën e tij personale, para se të merret me zhvillimet politike.
“Së pari mundohem ta ruaj koherencën time njerëzore, pastaj atë të zhvillimeve politike”.
”Nuk pretendoj të jem pjesë e garës politike. Jam besimplotë për Kosovën. Lëvizja politike e padëgjueshmërisë qytetare dhe e rezistencës për liri kishte një vizion (1990-1999)”.
Thaçi tutje ka shtuar se në të kaluarën uniteti institucional dhe bashkëpunimi me Perëndimin kanë qenë kyç për suksesin e vendit, ndërsa sot situata është ndryshe.
“Edhe pas luftës, uniteti i brendshëm institucional dhe bashkëpunimi me Perëndimin ishte alfa dhe omega e suksesit (1999-2021). Vendi sot frymon dhe vepron ndryshe. Dialogu i brendshëm politik duket i lënduar rëndë”, ka thënë Thaçi.