Një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një sulm me mjet të mprehtë në Gjakovë.
Rastin e ka konfirmuar për Dukagjinin edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Elezaj ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 në rrugën “Mbretëresha Teutë”, pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave të moshës madhore.
Viktima fillimisht është dërguar për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare, e më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.
Dyshohet se viktima është sulmuar nga një person, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, kanë iniciuar rastin si “vrasje”.
Policia ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore dhe operative për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.