Kryeministri britanik Keir Starmer u ka bërë të qartë anëtarëve të kabinetit se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra, pavarësisht se presioni brenda Partisë Laburiste po rritet ndjeshëm pas humbjeve të fundit në zgjedhjet lokale.
Më shumë se 70 deputetë laburistë, rreth një e pesta e grupit parlamentar, kanë kërkuar publikisht që Starmer ose të japë dorëheqje, ose të caktojë një afat për largim. Megjithatë, deri tani nuk është shpallur asnjë kandidaturë që do ta sfidonte drejtpërdrejt për lidershipin e partisë.
Situatën e ka tensionuar edhe dorëheqja e ministres Miatta Fahnbulleh, e cila i bëri thirrje Starmerit “të bëjë gjënë e duhur për vendin” dhe kritikoi mungesën e vizionit dhe ritmit në qeverisje.
Ajo tha se qeveria nuk po qeveris sipas pritjeve të votuesve dhe se Partia Laburiste nuk po reflekton qartë vlerat e saj.
Megjithëse Laburistët kishin fituar bindshëm në zgjedhjet e korrikut 2024, sondazhet dhe rezultatet e fundit lokale tregojnë rënie të mbështetjes, duke e vënë Starmerin nën presion të madh politik.
Kritikat ndaj tij lidhen me ekonominë e dobët, mungesën e një vizioni të qartë politik dhe disa vendime të diskutueshme në emërime, përfshirë caktimin e Peter Mandelson si ambasador në Uashington, pavarësisht polemikave rreth lidhjeve të tij me të dënuarin për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Në deklarimet e tij, Starmer nuk ka dhënë garanci absolute se do të qëndrojë deri në zgjedhjet e ardhshme, por ka theksuar se stabiliteti politik është thelbësor për vendin dhe se deri tani askush nuk ka nisur zyrtarisht një garë për lidership.
Në këtë kontekst, ai ka sfiduar në mënyrë indirekte ministrin Wes Streeting, duke lënë të kuptohet se çdo sfidë e mundshme për lidership duhet të vijë drejtpërdrejt nga ai që dëshiron ta nisë garën, raporton The Guardian.
Streeting deri më tani ka mohuar se do të kandidojë kundër Starmerit, por mbetet një nga figurat e pakta brenda kabinetit që mund të sigurojë numrin e nevojshëm të deputetëve për të hapur një garë të brendshme për lidershipin.