Katër persona humbin jetën në aksidente trafiku brenda 24 orëve në Kosovë

Policia e Kosoves ka njoftuar se të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut brenda një dite në Kosovë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, aksidenti i parë me fatalitet është regjistruar në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Dollc të Klinës, ku një shofer dyshohet se nga pakujdesia ka dalë jashtë rrugës me veturën e tij. Si pasojë, drejtuesi i automjetit ka vdekur, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Një tjetër aksident fatal është regjistruar rreth mesditës në fshatin Slivovë të Ferizajt, ku janë përfshirë dy vetura e nga i cili një person ka humbur jetën.

Po të njëjtën ditë, një aksident ndërmjet tri automjeteve në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë rezultoi me vdekjen e një personi dhe lëndimin e pesë të tjerëve, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK

Ndërkaq, Policia ka njoftuar edhe për vdekjen e një personi tjetër, i cili kishte qenë duke u trajtuar në spital pas një aksidenti të ndodhur më 7 maj në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në fshatin Smrekonicë.

Policia ka nisur hetimet për të gjitha rastet, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për procedura të mëtejme mjeko-ligjore.

Të fundit nga rubrika