Netanyahu paralajmëron intensifikim të sulmeve ndaj Hezbollahut

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do t’i intensifikojë sulmet kundër Hezbollahut, ndërsa ushtria izraelite njoftoi se ka nisur një valë të re bombardimesh në të gjithë Libanin.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë kryer sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Luginën Bekaa në lindje të Libanit dhe në zona të tjera të vendit, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Hezbollahu, grup i armatosur shiit në Liban i mbështetur nga Irani, tha se është kundërpërgjigjur me 22 sulme me dronë dhe raketa, duke shtuar se objektivat e tij përfshinin ushtarë izraelitë, tanke, kazermat dhe ndërtesa.

Në fillim të këtij muaji, Libani dhe Izraeli ranë dakord të zgjasin një armëpushim 45-ditor që kishte nisur në mesin e prillit, megjithëse përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut kanë vazhduar.

Të martën në mëngjes, IDF deklaroi se kishte “goditur më shumë se 100 objekte infrastrukturore të Hezbollahut dhe militantë”.

Mediat lokale libaneze raportuan se 12 persona janë vrarë në një sulm ndaj fshatit Mashghara në Luginën Bekaa.

IDF tha se disa sulme u kryen brenda sekondash kundër objekteve të Hezbollahut në Mashghara, ku u identifikua aktivitet terrorist duke shtuar se “terroristët u eliminuan” gjatë operacionit.

Ushtria izraelite ka lëshuar gjithashtu urdhër evakuimi për qytetin jugor Nabatieh për shkak të mundësisë së sulmeve të tjera.

Netanyahu në një deklaratë me video tha se Izraeli është “në luftë me Hezbollahun” dhe se ushtria është urdhëruar “t’i japë një goditje shkatërruese”.

Ai shtoi se ofensiva izraelite kundër Hezbollahut ka eliminuar mbi 600 terroristë në javët e fundit.

“Por ajo që kërkohet tani është të rrisim sulmet dhe intensitetin e tyre”, deklaroi Netanyahu.

Hezbollahu tha se të hënën kishte përdorur dronë dhe raketa për të sulmuar pozicione në jug të Libanit dhe në veri të Izraelit, si kundërpërgjigje ndaj asaj që e quajti “shkelje të armëpushimit” nga Izraeli.

Zyrtarë nga Libani dhe Izraeli, vende që nuk kanë marrëdhënie formale diplomatike, pritet të zhvillojnë negociata të tjera në Uashington javën e ardhshme.

Presidenti libanez Joseph Aoun ka kërkuar tërheqjen e plotë të Izraelit nga jugu i Libanit.

Që nga marrëveshja e armëpushimit më 16 prill, sulmet izraelite janë përqendruar kryesisht në jug të vendit, ku trupat izraelite vazhdojnë të qëndrojnë dhe prej nga Izraeli pretendon se janë lëshuar dronë dhe raketa.

Përshkallëzimi i ofensivës izraelite ndodhi në një kohë kur Irani ka insistuar që çdo marrëveshje paqeje me SHBA-në duhet të përfshijë armëpushim të plotë në të gjitha frontet rajonale.

Qeveria izraelite ka kundërshtuar ndërprerjen e luftimeve kundër Hezbollahut.

Dhjetë ushtarë izraelitë janë vrarë që nga armëpushimi fillestar me Libanin, ndërsa mbi 400 persona në Liban kanë humbur jetën nga bombardimet izraelite gjatë së njëjtës periudhë, përfshirë shumë paramedikë dhe punonjës të emergjencës.

Izraeli ka lëshuar pothuajse çdo ditë urdhra të rinj evakuimi për civilët libanezë në zona të reja në jug të vendit, duke shtuar numrin e mbi një milion personave të zhvendosur.

Libani u përfshi në këtë raund luftimesh pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt. Hezbollahu, aleat i Iranit, lëshoi raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për një sulm izraelit ku u vra lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.

Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë ajrore në të gjithë Libanin dhe me pushtim tokësor, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit janë vrarë më shumë se 3,000 persona.

Qeveria libaneze po përpiqet të çarmatosë Hezbollahun, por këmbëngul se armëpushimi është i domosdoshëm për realizimin e këtij procesi kompleks.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika