Kosova voton sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

8:48   Pas votimit të organizuar, Thaçi: Vota në veri kontrollohet nga Lista Serbe dhe Beogradi, jo nga vullneti i lirë i qytetarëve

Juristi Emrush Thaçi, në edicionin special të RTV Dukagjini, lidhur me organizimin e serbëve nga Lista Serbe për të votuar në grup, ka thënë se një gjë e tillë po përsëritet në secilat zgjedhje.

“Është shumë interesante se kjo po përsëritet në çdo zgjedhje dhe normalisht që Lista Serbe është ajo që i organizon drejtpërdrejt me dorën e shtetit të Serbisë, ku në kuadër të këtij votimi faktikisht po mbytet demokracia”, ka thënë ai.

“Ne e kemi parë edhe si dukuri negative publikimin e votave përmes rrjeteve sociale, ku kemi raste të shumta nga të gjitha partitë politike, por në rastin e tillë, të Mitrovicës së Veriut apo pjesës veriore të Kosovës, është për të ardhur keq që ndikimi i shtetit serb është shumë i fuqishëm”, ka shtuar Thaçi.

Tutje, Thaçi është shprehur se qytetarët e kësaj pjese në asnjë rrethanë dhe asnjëherë të vetme, siç thotë ai, “nuk e kanë orientuar votën aty ku ata dëshirojnë”.

“Vota e tyre është votë e manipuluar, votë faktikisht e marrë nga shteti serb dhe Lista Serbe. Unë konsideroj që këtyre qytetarëve nuk u bëjnë nder këto votime. Unë jam i bindur që të gjithë përfaqësuesit që votohen në atë pjesë janë përfaqësues të cilët faktikisht vendosen nga shteti serb, Lista Serbe dhe të dirigjuar. Ju e keni parë shumë mirë sabotimin edhe në Kuvendin e Kosovës nga ta (Lista Serbe) për çështje të caktuara, për zhvillimin e Kosovës dhe për gjithçka tjetër. Do të thotë, ata e kanë në dorën e tyre dhe normalisht, si kategori kushtetuese, po e pengojnë zhvillimin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Tutje, Thaçi ka thënë se qytetarit, si në veri ashtu edhe në jug të Kosovës, i duhet votim i lirë.

“Me imponimin e votimit nënkuptojmë rrënimin e demokracisë”, ka thënë ai.

Pas votimit të organizuar, Thaçi: Vota në veri kontrollohet nga Lista Serbe dhe Beogradi, jo nga vullneti i lirë i qytetarëve

8:25  Pamje të përsëritura nga Mitrovica e Veriut, Lista Serbe organizoi sërish votuesit, grupe qytetarësh u nisën nga sheshi “Car Lazar” drejt kutive të votimit

Gazetarja Blerta Zuka, duke raportuar në edicionin special të RTV Dukagjini nga Shkolla Teknike në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se qytetarët serbë janë organizuar sërish për të dalë në votime, në një praktikë që sipas saj është përsëritur në pothuajse çdo proces zgjedhor.

Ajo tha se qytetarët fillimisht janë mbledhur në sheshin “Car Lazar”, për t’u drejtuar më pas në mënyrë të organizuar drejt qendrave të votimit.

“Pamjet e tilla janë bërë tashmë traditë, ku saktësisht në orën e njëjtë thuajse në çdo proces zgjedhor pjesëtarët e komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut vijnë të organizuar dhe i drejtohen kështu në këtë lloj forme qendrave të votimit, përfshi këtu edhe këtë shkollë teknike ku po zhvillohet edhe procesi zgjedhor. Praktikat e tilla i kemi parë vazhdimisht dhe kanë qenë në fakt subjekt i diskutimit nga organizatat që monitorojnë zgjedhjet, pasi legjislacioni zgjedhor garanton që votimi duhet të jetë i lirë, individual dhe pa asnjë formë ndikimi, dhe një formë e tillë është kundërshtuar dhe është cilësuar si e kundërligjshme”, ka deklaruar Zuka.

Sipas saj, grumbullimi i qytetarëve ka nisur në qendër të qytetit, për t’u vazhduar më pas drejt vendvotimeve.

“Qytetarët e komunitetit serb janë mbledhur në sheshin Cara Lazar dhe kanë vazhduar në formë grupore që të vijnë te kjo qendër votimi në mënyrë të organizuar”, ka thënë ndër të tjera gazetarja Zuka.

Organizimi i votuesve në grup nga Lista Serbe është raportuar edhe në procese të mëhershme zgjedhore dhe ka qenë objekt vlerësimi nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet në Kosovë.

Pamje të përsëritura nga Mitrovica e Veriut, Lista Serbe organizoi sërish votuesit, grupe qytetarësh u nisën nga sheshi “Car Lazar” drejt kutive të votimit

 

7:58   Mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial në terren për mbrojtjen e votës së lirë

Për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot, Prokurori i Shtetit ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial në gjithë territorin e vendit për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, të gjithë prokurorët dhe stafi mbështetës do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie të mundshme që mund të paraqitet gjatë ditës së votimit.

Prokurorët janë të vendosur në zyrat e prokurorive themelore në qytetet përkatëse, ndërsa në komunat ku nuk ka objekte të prokurorisë, ata po qëndrojnë në stacionet policore, duke bashkëpunuar ngushtë me hetuesit e Policisë së Kosovës për të mbrojtur ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, po mbikëqyr zbatimin e detyrave të koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar në terren dhe prokurorit të caktuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave që të raportojnë çdo rast të dyshuar të keqpërdorimit apo manipulimit të votës, duke theksuar se çdo shkelje e mundshme do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial në terren për mbrojtjen e votës së lirë

7:48  Policia me urdhër operativ për zgjedhjet, publikon numrat ku mund të raportoni çdo rast të kundërligjshëm

Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat mbahen sot, më 7 qershor 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në autorizimet ligjore dhe planifikimet operative, Policia ka hartuar urdhrin operativ që parasheh angazhimin e një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht nga njësitë e rendit publik, por edhe nga profile të tjera sipas nevojës. Në dispozicion do të jenë gjithashtu pajisjet e nevojshme logjistike për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Plani operativ është i ndarë në katër faza: periudha përgatitore dhe vlerësuese, sigurimi gjatë fushatës zgjedhore, garantimi i sigurisë në ditën e votimit dhe periudha pas zgjedhjeve, e cila përfshin transportin dhe ruajtjen e materialit sensitiv zgjedhor deri në përfundimin e procesit.

Policia bën të ditur se faza përgatitore tashmë ka përfunduar, ndërsa aktualisht është duke u zbatuar faza e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore. Institucioni thekson se do të vazhdojë zbatimin e planit deri në përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor.

Ndër objektivat kryesore të urdhrit operativ janë krijimi i një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe Qendrës së Numërimit të Rezultateve, si dhe transporti i sigurt i materialit zgjedhor.

Po ashtu, Policia ka paralajmëruar se çdo vepër penale që cenon të drejtën e votës do të trajtohet me prioritet dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave që shkelin ligjin gjatë procesit zgjedhor.

Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës, KQZ-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë caktuar hetues dhe koordinatorë të posaçëm për trajtimin e rasteve që mund të lidhen me procesin zgjedhor.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo parregullsi apo veprim të kundërligjshëm që mund të ndikojë në sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve. Raportimet mund të bëhen përmes numrave 192 dhe 038 550 999, përmes postës elektronike ose në stacionet më të afërta policore.

Policia me urdhër operativ për zgjedhjet, publikon numrat ku mund të raportoni çdo rast të kundërligjshëm

7:08  Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Radoniqi fton qytetarët të dalin në zgjedhje

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar zyrtarisht hapjen e procesit zgjedhor në Kosovë, pas vizitës së tij në Pejë, ku u hapën qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në një deklaratë për media, Radoniqi tha se sipas informacioneve që ka KQZ-ja, procesi i votimit ka nisur në kohë, në orën 07:00, falë përgatitjeve të kryera me kohë nga institucionet përgjegjëse.

“Me këtë rast u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, në mënyrë që me votën e tyre t’i zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Radoniqi.

Ai theksoi se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit, i zhvilluar një ditë më parë, ka kaluar pa probleme dhe sipas planifikimeve.

Sipas Radoniqit, bazuar në të dhënat paraprake, pa përfshirë katër qendra votimi në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesëmarrja e votuesve të regjistruar jashtë vendit ka arritur në rreth 81 për qind.

KQZ-ja pret që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa incidente në të gjitha komunat e vendit.

Hapen qendrat e votimit në Kosovë, Radoniqi fton qytetarët të dalin në zgjedhje

Kosova sot mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të shpallura pas dështimit të forcave politike për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës brenda 16 muajve, pas atyre të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit të vitit të kaluar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nën masa të shtuara sigurie dhe me përcjellje të Policisë së Kosovës, ka shpërndarë materialin zgjedhor në qendrat komunale të numërimit. Fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat zgjedhore do të ruhen nga ekipet policore deri në hapjen e vendvotimeve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, për procesin zgjedhor janë shtypur gjithsej 1,778,300 fletëvotime. Prej tyre, 1,605,000 janë destinuar për votimin e rregullt, 19,450 për votimin me kusht, 13,500 si rezervë dhe 3,500 për votuesit me nevoja të veçanta.

Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2,092,174 qytetarë, ose 15,884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.

Për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka angazhuar mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të monitorojnë procesin në të gjitha komunat e vendit deri në përfundimin e tij.

Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike dhe organizatat e ndryshme që të raportojnë çdo rast të dyshuar të manipulimit apo keqpërdorimit të votës.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka finalizuar planin operacional për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke paraparë angazhimin e një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë, kryesisht nga njësitë e rendit publik, si dhe, sipas nevojës, nga profile të tjera operative.

Policia ka bërë të ditur se synon të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, si dhe mbrojtjen e qendrave të votimit, depove komunale dhe Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

KQZ: 80.85% e të regjistruarve votuan në përfaqësi diplomatike

KQZ-ja vazhdon të mbështetet te Britania për platformën e rezultateve zgjedhore

Kryeziu: Rreth 100 mijë euro u shpenzuan për reklama politike në rrjetet sociale

Mbi 16 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 7 qershorit

Policia dhe Prokuroria me komunikatë: Nën vëzhgim tentativat për ndikim në zgjedhje përmes eksponentëve të Listës Serbe

KQZ: Mbi 10 mijë votues kanë votuar në përfaqësitë diplomatike

KQZ: Për votim mjafton një nga dokumentet e vlefshme të identifikimit

KQZ: Deri në orën 09:00 mbi 3 mijë votues jashtë vendit kanë ushtruar të drejtën e votës

KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit

Sot votohet në hapësirat diplomatike të Kosovës në 18 shtete

Sot nis shpërndarja e materialit zgjedhor për zgjedhjet e së dielës

Të fundit nga rubrika