Secila votë identifikohet me kujdes të shtuar.
Kësisoj shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po sigurohet që fletëvotimet e ardhura nga jashtë Kosovës, janë të vlefshme apo hidhen në kosh.
Edhe pse procesi është ende në fazën e verifikimit, mbi 100 mijë vota potenciale të ardhura nga diaspora, mund të ndikojnë drejtpërdrejtë në shpërndarjen e vendeve në Kuvendin e Kosovës.
“Lëvizja e mandateve mund të shkojë deri në 5 sosh për Lëvizjen Vetëvendosje, në rast se do të përsëritet përqindja që e kemi parë në zgjedhjet e fundit, ku LVV kishte fituar mbi 85 për qind në ambasada dhe mbi 70 për qind me postë, LVV do të kishte të sigurt 53 deputetë, 2 nga PDK, 2 nga LDK dhe një nga AAK”, ka deklaruar Eugen Cakolli, KDI.
Nëse jo të gjitha, sipas Cakollit, minimalisht, votimi jashtë vendit pritet të ndikojë në ndarjen e dy ulëseve parlamentare.
“Ndikimi i diasporës në këtë rast është jashtëzakonisht i madh në kuadër të rezultatit zgjedhor, jo pse është problem pjesëmarrja e diasporës, sa është problem mospjesëmarrja e votuesve brenda vendit, që rrezikon të bie në nivelet më të ulëta që i kemi pas ndonjëherë”, ka theksuar ai.
Megjithatë, jo çdo votë e ardhur nga diaspora do të përfundojë në kutinë e numërimit.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, deri paraditen e së mërkurës, u verifikuan mbi 7 mijë pako të sjella në Kosovë, e prej tyre 142 u refuzuan.
“Në rastet kur brenda pakos të supozuar me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit, pakoja nuk procedohet më tepër në procesin e numërimit që bëhet pas disa ditësh. KQZ nuk ndërmerr ndonjë veprim, përveç se pakon e largon nga procesi i numërimit”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ.
Deri tani, në Kosovë kanë arritur vetëm një pjesë e votave të diasporës për verifikim, ndërsa numri i përgjithshëm i pakove jashtë vendit tejkalon 85 mijë sosh.
