​Nisma për shkarkimin e Abdixhikut, Ferati: Deri tani nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë kërkesë e shoqëruar me nënshkrime për thirrjen e Kuvendit të partisë.

Deklarata e tij vjen pas raportimeve se pritet të dorëzohen nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të LDK-së, në të cilin do të kërkohet votëbesim për kryetarin Lumir Abdixhiku.

Ferati theksoi se çdo kërkesë që paraqitet brenda partisë do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me procedurat statutore.

“Deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar. Përndryshe në momentin që ka kërkesa Brenda LDK-së sigurisht që me urgjencë dhe me seriozitet të madh kanë me u trajtu prej neve si parti dhe kanë me u shqyrtu deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve. Për momentin nuk ka nënshkrime të deponuara brenda LDK-së”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i shmanget procedurave statutare dhe ka dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj demokracisë së brendshme në parti.

Të fundit nga rubrika