Irani ka kërcënuar me një përgjigje të ashpër nëse Shtetet e Bashkuara realizojnë paralajmërimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të goditur infrastrukturën iraniane.
Zëdhënësi i Komandës Qendrore të ushtrisë iraniane, Ebrahim Zolfaghari, deklaroi të enjten se, nëse SHBA ndërmerr sulme ndaj urave, termocentraleve apo objekteve të tjera strategjike në Iran, Teherani do të shkatërrojë “të gjithë infrastrukturën në rajon”, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Nëse këto kërcënime zbatohen, përgjigjja e Iranit nuk do të jetë thjesht proporcionale, por superiore. Infrastruktura e rajonit do të shkatërrohet në një mënyrë që nuk do të mbetet asnjë gjurmë e saj”, citohet të ketë thënë Zolfaghari nga transmetuesi shtetëror iranian IRIB.
Ai shtoi se sulmet iraniane do të jenë “më të ashpra, më të gjera dhe më shkatërruese se kurrë më parë”.
Deklarata vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA mund të godasë ura dhe centrale energjetike në Iran javën e ardhshme, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave.
Zolfaghari theksoi gjithashtu se Irani nuk do të lejojë “në asnjë rrethanë” ndërhyrjen amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar atë si “vijën e kuqe të pathyeshme” të Republikës Islamike.