Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta, kur rreziku për përhapjen e tyre është më i madh.
Në një komunikatë për media, policia thekson se çdo zjarr, qoftë i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia, mund të rrezikojë jetën e njerëzve, të shkaktojë dëme të konsiderueshme materiale dhe të dëmtojë rëndë mjedisin.
Policia u bën apel qytetarëve të shmangin djegien e mbeturinave, barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr.
Po ashtu, Policia Rajonale e Ferizajt ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo si pasojë e neglizhencës.
Policia ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të zjarrvënies apo çdo situatë që mund të paraqesë rrezik, me qëllim mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.