Abdixhiku: Nëse nuk ka marrëveshje, shkojmë në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi treorësh me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ishte i mbarë, ndërsa ka bërë të ditur se bisedimet mes dy palëve do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Pas takimit të dytë mes LVV-së dhe LDK-së për formimin e institucioneve, Abdixhiku tha se partia e tij ka hyrë në këto diskutime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Ky është një takim i dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, me vullnet të mirë, me respektim të plotë edhe të rezultateve zgjedhore por edhe të gatishmërisë sonë si Lidhje Demokratike e Kosovës që me çdo çmim e me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, të katërtat me radhë për më pak se dy vite. Besoj se kështu e respektojmë jo vetëm interesin e LDK-së, por interesin e Republikës së Kosovës, e cila ka nevojë për stabilitet institucional dhe për punë, më tepër se sa për dramë politike”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja mbetet në parimet e saj dhe se për arritjen e një zgjidhjeje politike nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes palëve.

Sipas tij, marrëveshja duhet të garantojë balancë institucionale dhe demokratike, në mënyrë që LDK-ja të ndihet e përfaqësuar në institucionet e ardhshme.

“Ishte një takim i mirë, i mbarë, në të cilin u trajtuan çështje të ndryshme programore, politike, të ardhme dhe strategjike, besoj, për Republikën e Kosovës. Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore, më të detajuara…

LDK-ja natyrisht se qëndron brenda parimeve tashmë të bëra publike. E para që na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional dhe e dyta që është shumë e rëndësishme, të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës. Dhe këtë balancë demokratike LDK-ja duhet të ndjehet e përfaqësuar, në të kundërtën edhe kontributi i LDK-së po edhe konstelacioni politik i ndërtuar rreth saj s’do të ketë as forcë as fuqi të nevojshme”, tha ai.

Kreu i LDK-së bëri të ditur se takimet me Kurtin do të vazhdojnë, por paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Ai shtoi se pa një dakordim mes palëve, zgjedhjet e reja mbeten skenari i vetëm i mundshëm.

“Në qoftë se deri më datë 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar të vazhdohet procesi tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse s’ka nevojë që të pritet. LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë edhe, siç e thotë Kushtetuta, propozimin e partisë së parë. Dhe në këtë drejtim LDK-ja jep emrin e vet për nënkryetar të Kuvendit. Për çështje të tjera, më pas kemi afat kohor shtesë. Sa më herët më mirë që bëjmë zgjidhje, sepse Kosova ka shumë probleme, shumë sfida përpara, dhe në këtë drejtim duhet t’i japim zgjidhje konkrete”, shtoi Abdixhiku.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika