Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas shtyrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke komentuar incidentin me gjuajtjen e vezëve në drejtim të tij.
Kurti tha se nuk e sheh si problem personal sulmin me vezë, por mungesën e gatishmërisë së partive opozitare për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, njofton Dukagjini.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputete është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe bisedojnë jam i lumtur ta paguaj këtë çmim vetëm të vijnë në takim. Unë nuk ankohem që ata hedhen vezë, ankohem që ata nuk duan të takohen”, ka deklaruar Kurti pas seancës së shtyrë të Kuvendit.
Kujtojmë se gjatë vazhdimit të seancës konstituive Kurti kërkoi kohë shtesë teksa deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e gjuajti me vezë.
Kurti, mes tjerash, para gazetarëve tha se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës përfundon vetëm pasi të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët.
“Vazhdimi i seancës përcaktohet nga kryesuesi i seancës konstituive, e cila ka filluar, por përfundon atëherë kur zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarë. Aty do ta ketë një nënkryetar Lëvizja Vetëvendosje, një PDK, një LDK, një do të jetë i pakicave joserbe dhe një i pakicës serbe. Pra atëherë përmbyllen detyrat e kryesuesit aktual, që është Avni Dehari, si deputeti më i moshuar edhe në legjislaturën e gjashtë”, u shpreh Kurti.
Ai ka thënë se çështjet e tjera janë më pak të rëndësishme në krahasim me nevojën për një marrëveshje politike.
“Për mua, të gjitha çështjet janë të dorës së dytë ose të tretë, krahasuar me marrëveshjen që na duhet. Prandaj, edhe nëse bëhen aksione të tilla kundrejt meje, unë nuk jam këtu për veten time. Unë jam këtu për Republikën e Kosovës. Dhe kërkoj që edhe të tjerët të ulemi bashkë dhe për Republikën e Kosovës të bëjmë marrëveshje”, tha Kurti.