Prokuroria: I dyshuari për spiunazh pranoi se ishte rekrutuar nga BIA serbe

Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh, duke pretenduar se ai ishte rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA dhe se i kishte ofruar këtij shërbimi informacione në dëm të interesave të Kosovës.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë krijuar dyshim të bazuar se Sali ishte rekrutuar nga BIA, konkretisht nga zyrtari i këtij shërbimi, Zheljko Matoviq.

“Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali”, tha Kodraliu.

Sipas tij, gjatë procedurës për caktimin e paraburgimit, vetë i pandehuri ka deklaruar se ishte rekrutuar dhe se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.

“Me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s”, deklaroi prokurori.

Kodraliu bëri të ditur se hetimet ndaj Salit kanë zgjatur më shumë se një vit. Gjatë kësaj periudhe, sipas tij, janë zbatuar edhe masa të veçanta hetimore.

“Është duke u hetuar për më shumë se një vit. Ndaj tij kemi zbatuar masat e veçanta hetimore dhe, nga hetimet që kemi zhvilluar, i njëjti ka pasur kontakte të ndryshme me zyrtarë të tjerë vendorë dhe me autoritete të Serbisë”, tha ai.

Prokurori tregoi gjithashtu se një ditë më parë është kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë së cilës janë sekuestruar telefona dhe një shumë parash.

Sipas Prokurorisë, këto mjete dyshohet se mund të përbëjnë dobi pasurore të përfituar përmes kryerjes së veprës penale.

Prokuroria Speciale ka paralajmëruar se, pas përfundimit të hetimeve, mund të ngrejë aktakuzë ndaj Salit për veprën penale për të cilën tashmë pretendon se ka siguruar dyshim të bazuar.

Kodraliu nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rastin, duke u arsyetuar me ndjeshmërinë e hetimeve që janë ende në zhvillim.

“Për shkak të hetimit që jemi duke zhvilluar dhe ndjeshmërisë së rastit, kërkojmë mirëkuptim nga ju që në këtë fazë nuk mund të japim më shumë informacione”, përfundoi ai.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika