PDK-ja e AAK-ja i bëjnë thirrje Deharit ta thërrasë seancën, thonë se “është zaptuar rendi demokratik”

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka deklaruar se bllokimi i Kuvendit të Kosovës nuk përbën më vetëm një krizë politike, por sipas tij, është shndërruar në çështje të mbrojtjes së rendit kushtetues, institucioneve dhe vetë Republikës.

Tahiri ka folur pas seancës së tretë të iniciuar nga PDK-ja, në përputhje me afatin 48-orësh të përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive.

Ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po refuzon vazhdimin e seancës, duke e lënë Kuvendin të bllokuar dhe institucionet, siç u shpreh, peng të kalkulimeve politike.

“Sot nuk po flasim vetëm për një krizë politike. Sot po flasim për Republikën, për Kushtetutën dhe për Kuvendin – për institucione që nuk i përkasin asnjë individi dhe asnjë partie politike”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk duhet të trajtohen si pronë personale apo të përdoren për interesa partiake.

“Kushtetuta nuk është një dokument që respektohet vetëm atëherë kur i konvenon pushtetit. Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është garancia se institucionet nuk mund të shndërrohen në instrument të një individi dhe se askush nuk është mbi Republikën. As Albin Kurti”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se Kosova nuk mund të mbahet peng deri në zgjidhjen e kalkulimeve politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Vota të jep mandat. Vota nuk të jep pronësi mbi shtetin. Pushteti në demokraci nuk është privilegj personal. Është përgjegjësi, është i kufizuar dhe është i përkohshëm. Mbi të qëndron Kushtetuta”, ka deklaruar ai.

Tahiri ka thënë se PDK-ja nuk po kërkon privilegje apo pushtet, por funksionalizimin e institucioneve dhe respektimin e standardeve kushtetuese.

“Ne nuk kërkojmë privilegj. Nuk kërkojmë përjashtim. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kërkojmë funksionimin e Republikës. Kërkojmë që Kuvendi ta ushtrojë rolin e tij dhe që institucionet të mos mbahen peng i kalkulimeve të një partie”, ka theksuar ai.

Ai ka paralajmëruar se PDK-ja do të vazhdojë të kërkojë rikthimin e menjëhershëm të funksionimit kushtetues të Kuvendit.

“Mbi deputetin është ligji. Mbi kryeministrin është Kushtetuta. Mbi partinë është institucioni. Mbi pushtetin është Republika. Askush mbi Kushtetutën, askush mbi ligjin, askush mbi institucionet dhe askush mbi Republikën – as sot, as nesër, asnjëherë”, ka deklaruar Tahiri.

Në lidhje me situatën në Kuvend ka reaguar edhe PDK-ja përmes një postimi në Facebook.

“Dyert e Kuvendit të mbyllura për deputetët e zgjedhur nga qytetarët – fotografia e një Republike që po mbahet peng nga Albin Kurti. 16 gusht 2026!”, ka shkruar PDK-ja.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar situatën si “zaptim të rendit demokratik”, duke akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për përgjegjësi në këtë situatë.

“Të zgjedhurit nga populli duhet jo vetëm ta mbrojnë Kushtetutën, por edhe t’i tregojnë qytetarëve se ajo që po ndodh, sipas tij me urdhër të Albin Kurtit, është zaptim i rendit demokratik dhe shkelje e dokumenteve që rregullojnë funksionimin e shtetit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka përmendur, ndër të tjera, Kushtetutën, aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Besnik Tahiri ka kritikuar edhe mbylljen e dyerve të Kuvendit, duke pretenduar se një veprim i tillë mund të synojë krijimin e një përplasjeje mes deputetëve dhe institucioneve.

Ai i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që të mos ndërmarrin veprime që, sipas tij, mund ta çojnë vendin drejt situatave të paparashikueshme.

Ndërkohë, procesi i konstituimit të legjislaturës së re vazhdon të jetë i bllokuar. Deputetët kanë dhënë betimin, por procesi ka ngecur në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka argumentuar se Kuvendi nuk duhet të konstituohet pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, pasi në të kundërtën mund të konsumohet afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me deputetët e komuniteteve që e mbështesin, ka numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Kosova vazhdon të përballet me një krizë të zgjatur politike, e cila ka nisur pas zgjedhjeve të shkurtit 2025. Pas vështirësive për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, vendi shkoi në zgjedhje të reja, ndërsa pas zgjedhjeve të 7 qershorit procesi i konstituimit dhe zgjedhja e presidentit kanë mbetur sërish pa zgjidhje.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

Të fundit nga rubrika