Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar pas takimit konsultativ me kreun e LVV-së, bashkë me partnerët e koalicionit të tyre dhe përfaqësuesit e komuniteteve që janë pajtuar se duhet të kontribuojnë maksimalisht për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Haxhiu ka thënë se duhet të bëhen përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, duke theksuar se zgjedhjet e reja nuk garantojnë se partitë do të arrijnë marrëveshje më pas.
“Duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për presidentin dhe patjetër duhet të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë të merremi vesh nesër”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Haxhiu ka përmendur edhe njoftimin e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për një takim të ardhshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Sipas njoftimit të Kurtit, me LDK-në do të ketë një takim shumë shpejt. U përket atyre të tregojnë se kur do të ndodhë ky takim”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka bërë thirrje partive politike që të mos i refuzojnë takimet.
“Uroj që këtyre takimeve t’u bashkohen edhe partitë tjera politike, pra të mos refuzojnë takime”, ka deklaruar Haxhiu.