Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryetarët e komunave të Kosovës do të protestojnë në shtator para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në kundërshtim me, siç ka thënë ai, qasjen e Qeverisë ndaj pushtetit lokal.
Rama ka shkruar në Facebook se të gjithë kryetarët e komunave janë bërë bashkë për të kundërshtuar “shkeljen e vazhdueshme të ligjit” dhe qasjen që ai e ka cilësuar si “totalitare” të Qeverisë Kurti ndaj komunave.
Sipas Ramës, Qeveria po bllokon mjete financiare dhe po pengon projekte të komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka theksuar se mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave që nga viti 2022 për obligime që, sipas tij, nuk janë krijuar nga komunat.
“Po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve. Po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se komunat nuk duhet të trajtohen në bazë të përkatësisë politike të udhëheqësve të tyre.
Rama ka akuzuar Qeverinë se, përmes bllokimit të mjeteve, po i dëmton drejtpërdrejt qytetarët, duke përmendur pengimin e investimeve në rrugë, çerdhe, shkolla dhe shërbime publike.