Një video në rrjete sociale e nxori në pah një skenë dhune ndaj një 12-vjeçareje në Mitrovicë.
Pamjet çuan Policinë tek e dyshuara. Dhunën po dyshohet ta ketë kryer një 18 vjeçare, e cila edhe u arrestua e u dërguar në ndalim prej 48 orësh, për tu hetuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Por krahas dhunës fizike, shqetësim tjetër mbetet ripublikimi i videos.
“Ajo dhunë online është shumë e rëndë, ka trauma shumë më të thella, dhe është e papranueshme, mediat duhet të reflektojnë dhe të mos shpërndajnë video të tilla”, ka deklaruar Kaltrina Rexhepi Dragusha, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit për Hulumtime dhe të Drejta e Njeriut.
Sipas, Kaltrina Rexhepi Dragushës, dhuna nuk mund të shihet si një ngjarje që nis në momentin e sulmit.
“Baza e saj është në familje, mungesa e komunikimit në familje, qoftë nga prindërit e saj, të cilët nuk kanë arritur të kuptojnë se deri në çfarë mase vajza e tyre ka dalë nga kontrolli dhe sjellja normale e një fëmiu, poashtu prindërit e 12 vjeçares që nuk e kanë kuptu se në çka po kalon vajza e tyre dhe në çfarë rreziqesh po shpërfaqet. Dhuna nuk ka nisur dje, nuk e ka bazën dje. Ka nisur shumë më herët, në rrjete sociale, online…”.
Për rastin ka reaguar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, duke kërkuar aktivizim të menjëhershëm të mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve dhe masa nga institucionet e rendit dhe drejtësisë ndaj personave të përfshirë.
“KOMF thekson se dhuna ndaj fëmijëve nuk mund të trajtohet thjesht si një incident apo rast i izoluar, por ështe një alarm serioz për gjithë shoqërinë, familjen si institucion, institucionet e rendit, arsimit dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve. Poashtu, nuk kemi të bëjmë vetëm me një akt dhune ndaj një fëmije, por edhe me një shfaqje të hapur të dhunës, e cila është filmuar. Ekspozimi i tillë mund të rëndojë edhe më tej gjendjen e viktimës, duke rritur rrezikun e stigmatizimit dhe traumës”.
Më tej KOMF ka ritheksuar shqetësimin se sistemi i mbrojtjes së fëmijëve ka mangësi të mëdha në parandalimin, identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna.