Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar të enjten në brigjet e ishullit perëndimor filipinas të Palawanit, pasi një traget pasagjerësh u përfshi nga zjarri, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave dhe duke lënë dhjetëra pasagjerë të zhdukur.
Roja Bregdetare e Filipineve (PCG) bëri të ditur se disa anije dhe mjete të tjera ishin angazhuar në kërkim të të mbijetuarve, ndërsa ekipet e shpëtimit po përdornin mjete për modelimin e lëvizjes së rrymave detare, për të përcaktuar zonat ku njerëzit mund të jenë bartur nga rrymat, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Bazuar në listën e pasagjerëve të anijes, numrin e të mbijetuarve, i cili aktualisht është 43, dhe numrin e viktimave të raportuara deri më tani, autoritetet vlerësuan se më shumë se 80 persona vazhdonin të figuronin të zhdukur, megjithëse shifrat mund të ndryshojnë ende.
Zëdhënësja e Rojës Bregdetare, Noemie Cayabyab, tha se ekipet e shpëtimit ende nuk mund të hynin në traget, ndërsa kërkimet po pengoheshin nga tymi i dendur që vazhdonte të dilte nga anija, si dhe nga shqetësimet për temperaturat ekstreme dhe rrezikun e shpërthimeve.
Pamjet e filmuara nga dronët dhe të publikuara nga Roja Bregdetare treguan tragetin e nxirë nga zjarri, të rrethuar nga ujëra të kthjellëta blu-jeshile, ndërsa anija vazhdonte të nxirrte tym disa orë pasi zjarri kishte shpërthyer të mërkurën në mbrëmje.
Cayabyab deklaroi se lista e anijes përfshinte gjithsej 117 pasagjerë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit. Trageti ishte nisur nga Baseco, në Manila, dhe kishte si destinacion Coronin, një destinacion i njohur turistik në Palawan, i njohur për zonat e zhytjes, plazhet dhe atraksionet e udhëtimeve mes ishujve.
Mes 43 personave të shpëtuar ishin edhe dy shtetas kilianë, tha Aileen Ausente, zëdhënëse e PCG-së në Palawan, duke shtuar se mjetet ajrore ishin në gatishmëri për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit, nëse kushtet e motit do ta lejonin.
Trageti i djegur kishte lëvizur më tej nga vendndodhja e tij fillestare gjatë natës, i bartur nga rrymat dhe erërat, duke shtuar vështirësitë me të cilat përballeshin ekipet e shpëtimit, tha Cayabyab.
Shkaku i zjarrit është duke u hetuar.