“Në emër të popullit shpalleni të pafajshëm”, sot marshi i madh në mbështetje të çlirimtarëve

Rreth 200 mijë persona pritet të marrin pjesë nesër në Prishtinë në “Marshin për Liri”, të organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Organizatorët e platformës “Liria ka Emër” kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve, duke kërkuar që marshi të jetë qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz.

Marshi do të nisë në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar një program me tetë folës, njofton Dukagjini.

Në kuadër të programit të marshit, në emër të platformës “Liria ka Emër” do të mbajnë fjalime përfaqësuesja e platformës dhe bashkëpunëtori i saj, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, ndërsa shoqatat e dala nga lufta do të përfaqësohen nga Hysni Gucati.

Para pjesëmarrësve do të flasë edhe Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani.

Në mesin e folësve do të jenë edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës, i njohur si komandant “Cali”.

Në mesin e pjesëmarrësve pritet të jenë edhe më shumë se 150 deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të institucioneve të vendit.

Aktiviteti mbahet katër ditë para datës 16 shtator, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Platforma “Liria ka Emër” e ka cilësuar marshin si një mobilizim qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa ka bërë thirrje që pjesëmarrja të jetë masive, paqësore dhe dinjitoze.

Në ditët para marshit, “Liria ka Emër” ka marrë mbështetje nga përfaqësues të institucioneve, partive politike, komuniteteve fetare, sindikatave dhe organizatave të ndryshme.

Mbështetje për Marshin për Liri kanë shprehur edhe krerët e dy komuniteteve kryesore fetare në Kosovë. Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka shprehur mbështetjen për nismën dhe gatishmërinë për të kontribuar në organizim, duke përcjellë mesazhe solidariteti, uniteti dhe respekti për vlerat e luftës së UÇK-së.

Në mbështetje të marshit është deklaruar edhe Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, me të cilin “Liria ka Emër” ka diskutuar për solidaritetin me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, si dhe familjet e tyre.

Mbështetja është shtrirë edhe te komuniteti arsimor. Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë konfirmuar pjesëmarrjen në marsh, duke e lidhur atë me kërkesën për liri, drejtësi dhe dinjitet.

Po ashtu, Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur mbështetje për organizimin. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se bizneset, punëtorët, bashkëpunëtorët dhe familjarët e tyre do t’i bashkohen marshit në mënyrë masive.

Mbështetje është shprehur edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka thënë se Oda qëndron në mbështetje të çlirimtarëve dhe të së drejtës për një proces të drejtë e të paanshëm.

Në ditët e fundit, mbështetje për marshin kanë dhënë edhe figura publike e artistë ndërsa në programin e marshit pritet të performojnë edhe Shkurte Fejza dhe Arif Vladi.

Kujtojmë se për pjesëmarrjen në marsh është organizuar edhe transport nga një numër i madh i komunave të Kosovës, me qëllim që qytetarëve t’u mundësohet pjesëmarrja në Prishtinë.

“Liria ka Emër” ka bërë thirrje që marshi të jetë një tubim gjithëpërfshirës, pa ndarje politike dhe pa simbole partiake, me fokus te mesazhi i qytetarëve në prag të vendimit në Hagë.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika