Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë do të kthehen të lirë në Republikën e Kosovës.
Hoti, nga marshi për liri, që po mbahet në Prishtinë u shpreh se pret që të gjithë çlirimtarët të lirohen më 16 shtator, njofton Dukagjini.
“Ashtu siç e kam thënë edhe herëve tjera lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e drejtë dhe ka qenë e pashmangshme dhe verdikti për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është dhënë më 12 qershor 1999 dhe është vulos më 17 shkurt 2008 – kjo Gjykatë është politike dhe do të përfundojë dhe katër çlirimtarët e Republikës së Kosovës do të kthehen të lirë, ashtu shpresojmë sepse ashtu është e drejtë. Marshi ka kuptim në sensibilizim dhe në mesazhin që i dërgohet Gjykatës se nuk është një ‘organizatë e përbashkët kriminale’ por një organizatë e përbashkët çlirimtare e Kosovës”, u shpreh Hoti.
“Unë pres që të lirohen të gjithë çlirimtarët që janë atje”, u shpreh Hoti.
Në mesin e pjesëmarrësve janë deputetët e VV-së, Valon Hoti, Adnan Rrustemi, Salih Zyba, si dhe ish-deputeti Driton Hyseni.
Në marsh po merr pjesë edhe Shqipe Selimi, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëshortja e ish-kreut të UÇK-së, Rexhep Selimi.