Qindra qytetarë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta vjen pas vendimit me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Qytetarët janë mbledhur në qendër të Prishtinës, ndërsa në mesin e tyre ka edhe familjarë, veteranë të luftës dhe qytetarë që kanë dalë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan në shkallën e parë të gjykimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.
Protesta po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa qytetarët po vazhdojnë të mblidhen në shesh.
