Trump: Për Iranin përballem me një “vendim të madh”, marrëveshja apo asgjësimi

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se përballet me një “vendim të madh” për Iranin, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje paqeje ose të një sulmi të ri ndaj Republikës Islamike.

Duke folur para një audience të mbushur në selinë e OKB-së në New York, Trump tha se Shtetet e Bashkuara mund ta “asgjësojnë” Iranin nëse konflikti nuk zgjidhet përmes diplomacisë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

“Do të bëhet një marrëveshje me Iranin që u lejon atyre të rindërtojnë dhe të krijojnë një vend shumë më të madh se sa ka qenë ndonjëherë? Apo ta asgjësoj Republikën Islamike dhe ta bëj shpejt, duke mos u dhënë kurrë mundësinë të vrasin dhe shkatërrojnë njerëz dhe vende përsëri? A t’i çoj në ferr?”, tha Trump.

Presidenti amerikan argumentoi se konflikti kishte penguar Teheranin të siguronte armë bërthamore dhe e paraqiti atë si dëshmi të politikës së tij të “paqes përmes forcës”.

Trump tha gjithashtu se beson se një marrëveshje me Iranin, e cila deri tani nuk është arritur, mund të vijë pas zgjedhjeve të nëntorit në SHBA.

Fjalimi i tij u mbajt në të njëjtën ditë kur zyrtarë amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Trump më vonë u tha gazetarëve se zyrtarët amerikanë kishin zhvilluar një takim treorësh me delegacionin iranian, të cilin e përshkroi si “shumë produktiv”.

Televizioni shtetëror iranian konfirmoi se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ishte takuar me të dërguarin special amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se bisedimet u zhvilluan përmes një ndërmjetësi nga Katari, i cili i përcolli palës amerikane kushtet e Teheranit. Sipas tij, ato përfshijnë përfundimin e luftës në të gjitha frontet dhe ndalimin e asaj që Irani i cilëson si “akte agresioni” nga SHBA-ja.

Witkoff konfirmoi në rrjetin social X se bisedimet u zhvilluan përmes ndërmjetësve, të cilët gjatë gjithë ditës përcollën mesazhe mes dy palëve.

“Ata përfunduan me sukses një raund diskutimesh, për të cilat shpresojmë se do të jenë konstruktive dhe premtuese. Ndërmjetësit do të vazhdojnë punën e tyre”, shkroi Witkoff.

Ndërkohë, në fjalimin e tij, Trump foli edhe për luftën në Ukrainë, duke përsëritur se beson se diplomacia e tij do t’i japë fund konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Po punojmë shumë ngushtë me liderët e Rusisë dhe Ukrainës dhe do ta zgjidhim edhe atë. Mendoj se do të ndodhë shumë më shpejt nga sa e kuptojnë njerëzit”, deklaroi ai.

Në pjesën tjetër të fjalimit, Trump mbrojti politikat e administratës së tij për ekonominë, imigracionin, kufirin dhe luftën kundër krimit, ndërsa kundërshtoi idenë e “qeverisjes globale” dhe premtoi se SHBA-ja do të fitojë garën për inteligjencën artificiale.

Fjalimi i tij erdhi pas paralajmërimeve të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, i cili tha se ndarjet globale po thellohen dhe theksoi ndërvarësinë mes vendeve dhe popujve.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika