Gazetari serb, Radomir Dimiq, ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mënyrën se si, sipas tij, po e shfrytëzon pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.
Dimiq shkruan se fushata parazgjedhore e SNS-së dhe Vuçiqit po përcillet nga një heshtje e pazakontë dhe se vëmendja është përqendruar te fjalimi i presidentit serb në OKB.
“Fushata parazgjedhore e SNS-së dhe e Aleksandar Vuçiqit, deri tani, po përcillet nga një heshtje e pazakontë, ndërsa duket se po pritet një moment i caktuar – fjalimi i presidentit të Serbisë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila mbahet më 23 shtator.”
Sipas gazetarit, Vuçiqi udhëton në New York në një periudhë kur marrëdhëniet e Beogradit me Brukselin janë të dëmtuara, ndërsa janë shtuar edhe kritikat nga një pjesë e zyrtarëve amerikanë.
“Në një atmosferë të tillë, fjalimi në OKB mund të shërbejë si një përpjekje për t’i bindur votuesit e tij se nuk e ka humbur mbështetjen e Perëndimit.”
Sipas Dimiqit, Kosova do të jetë sërish një temë e rëndësishme e paraqitjes së Vuçiqit në OKB.
Ai pretendon se presidenti serb do ta përdorë çështjen e Kosovës për të kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit dhe për të akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta.
“Sepse Kosova është edhe në këtë fushatë të tij zgjedhore një temë e detyrueshme politike që përsëritet në të gjitha mediat proqeveritare.”
Dimiq, tutje thotë se Vuçiq mund të përmendë edhe aktgjykimin e fundit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, duke e përdorur atë si argument kundër pavarësisë së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.
“Edhe këtë do ta përdorë si argument kundër pavarësisë së Kosovës dhe agresionit të NATO-s ndaj Serbisë, duke e paraqitur Serbinë si palën që mbron ‘territorin e saj’ dhe duke akuzuar Perëndimin për politikë me standarde të dyfishta”, shkruan Dimiq.