Dy persona, shtetas të Shqipërisë, janë arrestuar në Fushë Kosovë nën dyshimin për përfshirje në trafikim të narkotikëve, ndërsa Policia ka sekuestruar rreth katër kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Sipas Policisë së Kosovës, operacioni policor i koduar “Errësira” është realizuar më 25 shtator, rreth orës 21:00, në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Gjatë kontrollit të veturës me targa të Shqipërisë, në bagazh janë gjetur dhe sekuestruar rreth katër kilogramë marihuanë. Sipas Policisë, vlera e substancës narkotike në treg kap rreth 10 mijë euro.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe vetura e përdorur nga të dyshuarit dhe 22 mijë e 300 lekë të reja.
Pas përfundimit të operacionit, të arrestuarit dhe provat e sekuestruara janë proceduar për veprime të mëtejshme hetimore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.