Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur rezerva të thella për mënyrën se si janë konceptuar dhe perceptuar Dhomat e Specializuara.
Në reagimin e saj, Shiroka-Pula ka thënë se vendimi kërkon reflektim jo vetëm mbi aktgjykimin, por edhe mbi natyrën, mandatin dhe funksionimin e kësaj gjykate. Sipas saj, drejtësia duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme, veçanërisht kur trajton periudha të ndjeshme historike.
Ajo ka theksuar se respektimi i procedurave juridike nuk e përjashton kritikën institucionale dhe debatin publik për punën e gjykatës.
Shiroka-Pula ka kërkuar që proceset penale ndaj individëve të mos shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të UÇK-së apo të luftës për liri. Ajo ka shtuar se të akuzuarve duhet t’u garantohet proces i rregullt dhe shfrytëzimi i të gjitha mjeteve juridike në dispozicion.
Kryetarja e ASHAK-ut ka bërë të ditur se institucioni që drejton është i gatshëm të ndihmojë në hulumtimin dhe interpretimin e të dhënave e fakteve që lidhen me luftën në Kosovë.