Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën dhe të bëjë thirrje që Këshilli Evropian të kërkojë opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës.
“Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i bëni thirrje Këshillit që të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, u shpreh Kurti.
Kurti, në një konferencë të përbashkët me Von der Leyen pas takimit, u shpreh se ka kërkuar edhe anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit, njofton Dukagjini.
Sipas Kurtit, këta hapa do të mundësonin lëvizjen më të shpejtë të mallrave dhe uljen e kostove ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Në takimin tonë i kërkova zonjës Von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në Konventën për tranzitin e përbashkët ku tashmë janë anëtarësuar tre nga fqinjët tanë, që mallrat të lëvizin më shpejtë dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kërkova gjithashtu integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akredimit ndonëse ne tashmë i zbatojmë standardet evropiane me kosto shtesë për bizneset tona”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se integrimi në këta mekanizma do ta afronte Kosovën më shumë me tregun unik evropian.
“Hapja e këtyre dyerve do të na shndërronte harmonizimin tonë me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik. Kosova ka treguar se çfarë mund të bëjë. Me më shumë dyer të hapura mund të arrijë edhe më shumë. Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova nuk ka shënuar kthim mbrapa në asnjërën nga 33 fushat e politikave, me përparim që varion nga i kufizuar deri në të mirë. Në dhjetor mbushen katër vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bazuar në meritë, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Natyrisht, sfida ka gjithmonë dhe në këtë botë të re nuk mungojnë sfidat e reja. Por përparimi ynë është i qartë”, u shpreh Kurti.
Kurti, mes tjerash, ka thënë se Kosova është partnere e besueshme e Bashkimit Evropian dhe se është në të njëjtën linjë me BE-në sa i përket politikës së jashtme, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Kurti ka folur edhe për Agjendën e Reformave, duke thënë se ajo po vazhdon të zbatohet dhe se “asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet mbrapa”.
Në fund, ai ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht asaj për njohjen e diplomave, si dhe ratifikimin nga Bosnja e Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime.
Sipas Kurtit, këto marrëveshje do t’u mundësonin studentëve dhe punëtorëve lëvizje më të lirë në rajon.