Djemtë dhe vajzat e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë lejuar nga Policia e Kosovës të hyjnë në oborrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku kanë dorëzuar një uniformë të UÇK-së dhe dosje me materiale që lidhen me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ata kanë deklaruar se përmes këtij veprimi synojnë t’u përcjellin institucioneve kërkesën për ndryshimin e ligjit që rregullon mandatin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Sipas organizatorëve, në dosjet e dorëzuara janë përfshirë edhe emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, së bashku me propozimet për ndryshimet e kërkuara në ligj.
Dorëzimi i materialeve është bërë në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është rikthyer së fundmi në Kuvendin e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
