Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar të enjten gjykimi ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh, ku është dëgjuar i dëmtuari-dëshmitar Arben Jetullahu.
Gjatë dëshmisë së tij, Jetullahu ka deklaruar se rreth 200 mijë euro në total i janë transferuar në llogarinë e të akuzuarit, përmes bankës, pas marrëveshjeve që, sipas tij, ishin bërë gojarisht.
Jetullahu ka treguar se fillimisht, gjatë kohës sa Sheholli ishte në paraburgim, i akuzuari i kishte kërkuar 500 euro, me arsyetimin se i nevojiteshin si ndihmë për familjen. Ai tha se ia kishte dërguar këtë shumë.
Sipas dëshmitarit, pas kësaj kishte pranuar porosi kërcënuese dhe shantazhuese përmes bashkëpunëtorit të tij, Lorik Retkoceri.
“Në momentin që ma ka dërgu porosinë prej paraburgimit, e kam ndi veten të kërcënum dhe të shantazhum sepse porosia ishte kërcënuese dhe shantazhuese”, tha Jetullahu.
Ai deklaroi se më pas kishte filluar t’i paguante Shehollit një shumë prej 1 mijë eurosh në muaj. Sipas tij, në total ishin paguar 13 mijë euro dhe Sheholli figuronte si punëtor i tij.
Jetullahu tha se këto pagesa i kishte konsideruar si një lloj “blerjeje të paqes”, për të shmangur publikimin e lajmeve që ai i konsideronte të pavërteta për biznesin e tij.
Sipas dëshmitarit, publikimi i këtyre lajmeve do t’i dëmtonte si personalitetin, ashtu edhe biznesin.
Në dëshminë e tij, Jetullahu ka folur edhe për një kërkesë tjetër financiare. Ai tha se Sheholli i kishte kërkuar 60 mijë euro si huazim për blerjen e një banese.
Sipas tij, i akuzuari i kishte premtuar se shumën do ta kthente pasi ta shiste një lokal në Podujevë, ose se do t’ia jepte lokalin në pronësi.
“Asnjë obligim prej tina nuk më është kthy”, deklaroi Jetullahu.
Ai tha se pika e kontaktit mes tij dhe Shehollit ishte në vazhdimësi bashkëpunëtori i tij, Lorik Retkoceri, si dhe djali i të akuzuarit. Sipas dëshmitarit, ai nuk kishte pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Shehollin apo me familjarët e tij.
Jetullahu ka deklaruar se shantazhimi, sipas tij, lidhej me një video. Ai tha se ishte paralajmëruar se nëse nuk realizoheshin shumat e kërkuara, videoja do të publikohej.
Megjithatë, dëshmitari tha se nuk e dinte se çfarë përmbante videoja, duke shtuar se, sipas tij, bëhej fjalë për diçka personale.
Ai gjithashtu deklaroi se, sipas mendimit të tij, Sheholli i kishte përdorur mediet për ta shantazhuar, por pranoi se për këtë nuk kishte dëshmi.
Në fund të dëshmisë, Jetullahu tha se qëndron pranë ndjekjes penale ndaj të akuzuarit dhe se do të konsultohet me avokatin e tij lidhur me kërkesën për kompensimin e dëmit.