Deputetja e Lidhje Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas shkarkimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, duke e cilësuar këtë vendim si alarm për drejtësinë dhe për shtetin.
Bajrami vlerëson se vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës dërgon, sipas saj, një mesazh të rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit.
Ajo, mes tjerash, thotë se vota e qytetarëve i jep pushtetit mandatin për të qeverisur, por jo për të kontrolluar institucionet e drejtësisë.
“Shkarkimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është alarm për drejtësinë dhe për shtetin. Sot u dha një mesazh i rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit: kujdes se kë hetoni dhe kujdes se çfarë vendosni. Vota qytetare i jep pushtetit të drejtën të qeverisë, jo të kontrollojë prokurorinë dhe gjykatat. KPK-ja nuk duhet të jetë vegël e asnjë pushteti politik. Nëse një prokuror mund të largohet sepse vendimet e tij nuk i pëlqejnë pushtetit, atëherë nesër askush në drejtësi nuk mund të ndihet i sigurt kur heton një ministër, një deputet apo cilindo zyrtar të fuqishëm. Sepse kur pushteti kontrollon institucionet që duhet ta kontrollojnë atë, qytetari mbetet i pambrojtur. Këtë nuk duhet ta pranojmë si normale dhe nuk do ta pranojmë!”, ka shkruar Bajrami.