Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”, e cila u mbajt në Zarë të Kroacisë, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušić.
Siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes, Maqedonci ishte pjesë e panelit “Siguria evropiane në mjedisin e ri gjeopolitik”, ku foli për zhvillimet e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet rajoni, njofton Dukagjini.
Në margjinat e konferencës, Maqedonci dhe Anušić riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.
Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit trepalësh Kosovë–Shqipëri–Kroaci, me synimin që këtij bashkëpunimi t’i bashkohen edhe vende të tjera të rajonit që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, palët u dakorduan për avancimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, trajnimet, shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin për përballjen me kërcënimet hibride.
Gjatë diskutimit në panel, Maqedonci theksoi kërcënimet që burojnë nga qasja e Serbisë ndaj vendeve fqinje, ndërsa foli edhe për hapat që po ndërmerr Kosova për ndërtimin e një sistemi gjithëpërfshirës të mbrojtjes.
Ai vuri në pah gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të industrisë së mbrojtjes.