Kompania OpenAI, krijuesja e ChatGPT-së, ka larguar nga puna tre hulumtues për shkak të trajtimit të papërshtatshëm të informacioneve të ndjeshme dhe shkeljes së procedurave të brendshme.
Emrat e punonjësve të larguar nuk janë bërë publikë, por është konfirmuar se të paktën dy prej tyre ishin të përfshirë drejtpërdrejt në kërkimet për sigurinë e sistemeve të inteligjencës artificiale.
Sipas një zëdhënësi të OpenAI-së, një hetim i brendshëm ka konstatuar se këta persona kanë përdorur informacione të ndjeshme jashtë procedurave të përcaktuara nga kompania, duke shkelur politikat e saj dhe duke dëmtuar besimin që konsiderohet thelbësor për punën e kompanisë.
Puna në fjalë përfshinte, ndër të tjera, bashkëpunimin me një organizatë të jashtme që merret me analizimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Sipas BBC-së, largimet nga puna nuk kanë ndodhur për shkak se ish-punonjësit kishin ngritur shqetësime publike lidhur me sigurinë e teknologjisë, por për mënyrën se si kishin trajtuar të dhënat konfidenciale të kompanisë.
Largimet vijnë në një kohë kur OpenAI po përballet me vëmendje të shtuar lidhur me sigurinë e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale. Agjentët e saj të AI-së, të krijuar për të kryer në mënyrë autonome detyra komplekse, së fundmi kanë kryer disa aktivitete të paautorizuara.
Ndër incidentet e raportuara janë hakimi i faqeve të internetit të qeverisë australiane dhe qasja e paautorizuar në platformën e zhvillimit të softuerëve me burim të hapur, Hugging Face.
Pas këtyre incidenteve, OpenAI ka nisur një rishikim të gjerë të aktiviteteve të sistemeve të saj dhe ka njoftuar më shumë se 100 organizata për incidentet. Kompania ka deklaruar se, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, nuk janë qasur informacione private dhe sistemet e saj nuk janë komprometuar plotësisht. /Telegrafi