Forcat rebele tërhiqen nga Mekelle, kryeqyteti i Tigrayt

Forcat rebele në rajonin verior të Tigrayt në Etiopi kanë njoftuar se janë tërhequr përkohësisht nga kryeqyteti rajonal, Mekelle, ndërsa luftimet me ushtrinë kombëtare po afrohen drejt qytetit.

Fronti Çlirimtar i Popullit të Tigrayt (TPLF), i cili ka drejtuar rajonin, tha se vendimi për tërheqje është marrë për shkak të shqetësimeve për sigurinë e civilëve.

Dy banorë të Mekelles i thanë BBC-së se forcat proqeveritare tashmë kanë marrë kontrollin e qytetit, ndërsa forcat e TPLF-së janë larguar. Njëri prej banorëve tha se shërbimet e telefonisë mobile duket se janë rikthyer në disa pjesë të qytetit.

Luftimet kanë shpërthyer gjatë javëve të fundit mes TPLF-së dhe forcave të qeverisë federale, të mbështetura nga forca aleate, në disa pjesë të rajoneve veriore të Etiopisë, përfshirë Tigrayn, Afarin dhe Amharan.

Zhvillimi shënon një kthesë të rëndësishme në konflikt dhe ka rritur shqetësimet se luftimet mund të destabilizojnë më tej Bririn e Afrikës dhe të përfshijnë edhe shtetet fqinje.

Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje të gjitha palëve për “përmbajtje” dhe “dialog”, përpara një takimi diplomatik që do të mbahet të dielën në Egjipt, ku pritet të marrin pjesë liderë të disa vendeve fqinje të Etiopisë.

Banorët e Tigrayt janë ende duke u rimëkëmbur nga lufta shkatërruese civile dyvjeçare, e cila përfundoi në vitin 2022 me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Afrikan, të njohur si Marrëveshja e Pretorias.

Megjithatë, gjatë gjashtë muajve të fundit, marrëdhëniet mes palëve janë përkeqësuar, ndërsa të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.

Muajin e kaluar, TPLF iu bashkua gjashtë lëvizjeve të tjera të armatosura, përfshirë milicinë Fano nga Amhara, për të formuar një aleancë që synon largimin nga pushteti të qeverisë së kryeministrit etiopian, Abiy Ahmed, raporton BBC.

Lufta civile në Tigray ishte një nga konfliktet më vdekjeprurëse të këtij shekulli. Ndërmjetësi i Bashkimit Afrikan vlerësoi se rreth 600 mijë persona humbën jetën gjatë luftimeve, ndërsa rajoni u përball me rrezikun e një zie të rëndë urie.

Të premten, Etiopia dhe Eritrea ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, pasi Addis Abeba akuzoi Asmarën për mbështetje ndaj aleancës së re rebele. Eritrea i mohoi këto akuza.

Etiopia ka akuzuar gjithashtu Egjiptin për mbështetje ndaj rebelëve, duke dëbuar një diplomat egjiptian. Kajro reagoi duke urdhëruar largimin e një zyrtari të ambasadës etiopiane.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se përkeqësimi i situatës së sigurisë në veri të Etiopisë po pengon rëndë punën humanitare dhe u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të garantojnë qasje të sigurt dhe të papenguar te njerëzit në nevojë.

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika