Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se bombarduesit amerikanë u larguan nga baza ajrore RAF Fairford në Britani për shkak të “disa kërcënimeve” ndaj bazës.
Pentagoni konfirmoi të dielën se bombarduesit amerikanë, që besohet të kenë qenë rreth 12 avionë të tipit B-1, u tërhoqën nga baza dhe u kthyen në bazat e tyre në SHBA.
Duke folur për gazetarët të hënën, teksa po nisej drejt Nebraskës, Trump tha se SHBA-ja kishte marrë dijeni për një kërcënim, i cili kishte çuar në vendimin për largimin e bombarduesve.
“Po, mendoj se mund ta themi këtë. Ata nuk u larguan rastësisht. Kishte disa kërcënime”, tha Trump.
Ai shtoi se, në vend që të rrezikoheshin bombarduesit duke i mbajtur në bazë, SHBA-ja vendosi t’i zhvendoste.
“Ne në fakt i dimë njerëzit që e kanë bërë kërcënimin”, tha Trump, pa dhënë detaje se për kë bëhej fjalë.
Komentet e Trumpit duket se konfirmojnë raportimet e mediave amerikane se një kërcënim i ri kishte çuar në largimin e bombarduesve nga RAF Fairford. Më 27 shtator, policia ishte njoftuar për tri automjete “të dyshimta” pranë bazës ajrore.
Megjithatë, natyra e saktë e kërcënimit mbetet e paqartë. Burime në Uashington i thanë BBC-së se ai mund të ketë pasur të bëjë me përpjekje për sabotim ose sulme ndaj avionëve të ndjeshëm dhe me vlerë të lartë, në rast të rifillimit të armiqësive me Iranin.
Një burim pranë Shtëpisë së Bardhë përmendi si shembull operacionin ukrainas “Spiderweb”, gjatë të cilit vitin e kaluar u krye një sulm me dronë ndaj pesë bazave ruse.
“Çfarëdo që ata menduan se ishte, u mor jashtëzakonisht seriozisht”, tha burimi.
New York Times, Wall Street Journal dhe Axios raportuan se sulmi i mundshëm mund të kishte për qëllim dëmtimin e avionëve dhe vrasjen e personelit amerikan, duke iu referuar zyrtarëve të paidentifikuar, raporton BBC.
Ndërkohë, një zëdhënës i Downing Street kishte deklaruar më herët të hënën se RAF Fairford ishte e sigurt. Ai iu referua edhe komenteve të Trumpit nga java e kaluar, kur presidenti amerikan kishte lavdëruar policinë, shërbimet e mbrojtjes dhe të sigurisë së Britanisë lidhur me bazën.
Deklaratat e Trumpit dhe të nënpresidentit JD Vance ndryshojnë nga qëndrimi më i rezervuar i sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Rubio tha se nuk ishte e pazakontë që njësitë dhe asetet ushtarake të rotulloheshin dhe të zhvendoseshin në vende të ndryshme të botës.
Shtëpia e Bardhë dhe Ministria britanike e Mbrojtjes janë kontaktuar për koment lidhur me kërcënimin dhe arsyet e largimit të bombarduesve.