Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në votimin në lexim të parë të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për shkak të, siç i ka quajtur ai, etiketimeve dhe kërcënimeve.
“Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja e konsideron UÇK-në pjesë të historisë së vendit dhe ka theksuar lidhjen e Kosovës me SHBA-në dhe NATO-n.
“UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja i jep llogari Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa ka theksuar se ndaj partisë janë bërë presione dhe shantazhe.
“LDK-ja e di kujt i jep llogari; Kosovës dhe njerëzve të saj. Atyre që janë dhe të tjerëve që s’janë që të jemi ne. Përballë tyre kemi përgjegjësi. Përballë shantazhit veç forcohemi”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Ai ka kritikuar gjithashtu zhvillimet politike në vend, duke thënë se, po të ishte ndjekur vizioni i LDK-së, Kosova sot do të kishte president dhe stabilitet institucional.