Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen menjëherë në Kuvend dhe ta votojnë Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një konferencë për media, Berisha ka theksuar se kanë mbetur edhe 11 orë deri në mesnatë dhe se votimi i ligjit është detyrë dhe përgjegjësi e deputetëve.
“Kanë mbetur edhe 11 orë deri në mesnatë. Ky popull është ai që u bë bashkë me UÇK-në edhe në ditët më të vështira, edhe sot jemi të bashkuar. Deputetët duhet të vijnë menjëherë ta votojnë ligjin. Kjo është detyrë që na ka caktuar populli, kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë”, ka thënë Berisha.
Pas konferencës, deputetët e AAK-së kanë dalë nga Kuvendi dhe, siç kanë thënë, janë nisur për t’i falënderuar protestuesit për qëndrimin e tyre.