Zgjerimi i shërbimeve dhe krijimi i mundësive të barabarta për personat që kanë nevojë për mbështetje profesionale ishin ndër mesazhet kryesore të konferencës së organizuar nga OJQ-ja Klubi “Dëshira”, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.
Drejtori ekzekutiv i Klubit “Dëshira”, Nusret Shillova, tha se kërkesat e personave dhe familjeve për ndihmë dëshmojnë rëndësinë e shërbimeve që ofron organizata, duke theksuar nevojën që ato të zgjerohen vazhdimisht.
“Që ka nevojë për mbështetje, një familje që kërkon ndihmë, dhe një shpresë për një jetë më të mirë. Këto kërkesa na tregojnë se shërbimet tona janë të vlefshme, janë të domosdoshme, dhe ka nevojë për zgjerimin e këtyre shërbimeve vazhdimisht. Në përgjithësi, çdo person meriton qasje në shërbime përkrahje profesionale, dhe mundësi të barabartë për të jetuar me dinjitet. Besojmë se një shoqëri më e mirë ndërtohet përmes solidaritetit, pranimit dhe mundësive të barabarta për të gjithë. Prandaj, le të punojmë së bashku që shëndeti mendor të mos jetë temë për të cilën flasin vetëm një ditë, një vit, por një përgjegjësi që e ndajmë çdo ditë. Sepse çdo njeri meriton të dëgjohet, të pranohet, të mbështetet, dhe të jetojë me dinjitet. Ky është edhe mesazhi kryesor i organizatës botërore të shëndetit, të shëndetësisë, e cila i përkushtohet shëndetit mendor”, tha Shillova.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se nevojiten hapësira më të mëdha dhe më të mira për personat që frekuentojnë klubin, në mënyrë që ata të kenë më shumë mundësi për t’u socializuar, për të punuar së bashku dhe për të kontribuar në shoqëri.
“Duhet të punojmë që të kemi hapësira edhe më të mëdha, edhe më të mira, për me ju ofru mundësi këtyre qytetarëve, njerëzve të mrekullueshëm këtu që vijnë, që socializohen, që qëndrojnë bashkë, që punojnë bashkë, shoqërohen, edhe krijojnë, i ndihmojnë njëri-tjetrit, mësojnë, edhe tregojnë që kanë mundësi dhe faktikisht për me dhënë për shoqërinë tonë. Nuk janë të lanë anash, pra i jepet mundësia që të arrijnë gjërat të cilat i kanë dëshirë, që i kanë zemër, që dojnë me i paraqit para të tjerëve, të gjitha këto mundësi i bëni ju, Klubi “Dëshira””, tha Rama.
Ai foli edhe për pasojat e traumave që shoqëria e Kosovës vazhdon t’i bartë nga periudha para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të tyre për të parandaluar përcjelljen e traumave te gjeneratat e ardhshme.
“Sa i përket punës tonë si kryeqytet, ne jemi duke punuar shumë në fusha të ndryshme, të cilat edhe kanë mundohen të kenë impakt pozitiv në mendjen e njeriut, në dije dhe në nëndije. Pra, të krijojnë hapësira më të mira, më të sigurta, të tilla e kemi e dimë impaktin që hapësirat e kanë në dije dhe nëndije të njeriut, dhe mundësinë për me pas një impakt pozitiv, sepse e dimë që e gjithë shoqëria jonë, për fat të keq, një periudhë kohore e gjatë tash ka kaluar, mirëpo ende kemi trauma si shoqëri, të cilat i mbajmë prej kohës së luftës, e kohës së para luftës, faktikisht, pastaj edhe kohës së pas luftës. Të cilat duhet të t’i marrim me përgjegjësi të madhe, duhet që t’i trajtojmë në mënyrë që sa më shumë t’i shërojmë aq sa është e mundshme traumat, dhe mos të kem ashtu intergenerational, pra të pasohet në gjenerata të tjera trauma të cilat kanë”, tha Rama.
Rëndësinë e klubit në jetën e anëtarëve e dëshmuan edhe vetë përfitueset e tij. Dita Karahoda, e cila është pjesë e klubit prej dhjetë muajsh, u shpreh e kënaqur me përvojën e saj.
“Jam që 10 muaj sot i bana që filluam klubin “Dëshira”, edhe jam krenare që jam me këta kolegë këtu, i përshëndes shumë, edhe psikologët janë të mirë shumë”, tha ajo.
Ndërkaq, Lumnije Demolli, anëtare e klubit që nga viti 2006, tregoi se pjesëmarrja në këtë organizatë e ka ndihmuar të mësojë shkrim e lexim dhe të fitojë më shumë pavarësi e dinjitet në jetën e përditshme.
“Unë jam anëtare e klubit “Dëshira” nga 2006. Unë e kam arritur shumë, se shkrim e lexim e kam mësuar, kam mësuar shumë sende, edhe jam martuar. Tash shkrim e lexim e kam mësuar. Kur shkojshim në komunë, me votuar na shtyeshin, na thojshin budallë, tash jetojmë me fytyrë, se e kena klubin “Dëshira”. Faleminderit shumë që na keni ndihmuar”, tha Demolli./EO