Vuçiqi e pranon hapur: Unë dhe Dodiku vazhdojmë të thurim plane

Milorad Dodiku dhe ish presidenti serb Aleksandar Vuçiqi vazhdojnë të takohen dhe të “thurin plane”, ndonëse, sipas vetë Vuçiqit, asnjëri prej tyre nuk mban më funksionin e presidentit.

Këtë e deklaroi Vuçiqi gjatë një takimi me Dodikun, kryetar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), duke nxitur reagime nga politikanë dhe analistë në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Ne nuk jemi më as presidentë, asgjë tani, por prapë takohemi dhe thurim plane”, citohet të ketë thënë Vuçiqi, sipas gazetës serbe “Danas”.

Deklarata u interpretua nga bashkëbiseduesit e kësaj gazete si tregues se të dy politikanët synojnë ta ruajnë ndikimin politik edhe pas largimit nga funksionet zyrtare.

Borislav Antonijeviq, deputet nga lista “Ne, fuqia e popullit”, ngriti pyetjen se në emër të kujt po hartojnë plane dy politikanët nëse nuk mbajnë më funksione shtetërore.

“Kur humbin funksionet, duket se nuk duan ta humbin edhe pushtetin. Shteti nuk është pronë e tyre private, institucionet nuk janë çifligu i tyre dhe populli nuk është peng i kombinimeve të tyre politike”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Janko Veselinoviq, anëtar i kryesisë së Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), pretendoi se Vuçiqi dhe Dodiku vazhdojnë të ushtrojnë ndikim në Serbi dhe në Republikën Sërpska, pavarësisht funksioneve që mbajnë.

Sipas tij, institucionet në këto dy hapësira shpesh shërbejnë si mbulesë për pushtetin real të liderëve politikë.

Edhe analistja politike nga Banjalluka, Tanja Topiq, vlerësoi se takimi i tyre përcjell mesazhin se ata vazhdojnë ta konsiderojnë veten vendimmarrësit kryesorë, duke u treguar mbështetësve dhe faktorit ndërkombëtar se ndikimi i tyre politik mbetet i paprekur.

Ndërsa deputetja Danijela Nestoroviq nga Lëvizja Ekologjike e Serbisë tha se, ndonëse Vuçiqi dhe Dodiku mund të takohen si liderë partiakë, vendimet për Serbinë dhe Republikën Sërpska duhet të merren nga institucionet përkatëse, e jo përmes marrëveshjeve private mes politikanëve.

Sipas saj, deklarata për “thurjen e planeve” ngre pikëpyetje nëse ndryshimi i funksioneve zyrtare shoqërohet edhe me ndryshimin e mënyrës së ushtrimit të pushtetit.

 

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika