Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas protestave dhe akteve të dhunës në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe aktorëve të përfshirë që të zgjedhin dialogun dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.
Në një video-mesazh, Begaj tha se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, por theksoi se dhuna nuk mund të jetë mënyra për zgjidhjen e problemeve.
“Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta vërë dhe nuk e vë askush në diskutim. Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja”, deklaroi Begaj.
Ai tha se dhuna dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe thellon polarizimin në bashkëjetesën demokratike.
Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog, duke kërkuar që dallimet politike e shoqërore të shërbejnë si nxitje për gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve.
“U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit”, u shpreh ai.
Begaj gjithashtu shprehu mbështetje për forcat e rendit në kryerjen e detyrës dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, si policët ashtu edhe protestuesit.
Në fund, presidenti tha se mbetet i hapur për krijimin e një hapësire dialogu dhe mirëkuptimi, ndërsa u bëri thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit.
“Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi”, përfundoi Begaj.