Afër 8 muaj nga seanca e fundit ndaj ministres Gërvalla, ende asnjë veprim për gjykim nga Gjykata

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Kanë kaluar më shumë se 7 muaj që kur ishte tentuar të mbahet seanca fillestare ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla lidhur me akuzat për mosdeklarim të pasurisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, që nga 20 qershori 2023 nuk ka caktuar ende shqyrtimin fillestar.

Më 20 qershor 2023, Gjykata kishte caktuar mbajtjen e shqyrtimit fillestar, ku pritej që Gërvalla të deklarohej lidhur me fajësinë, mirëpo seanca kishte dështuar pasi që ministrja nuk kishte angazhuar avokat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza ndaj saj është ngritur më 29 maj 2023.

Rasti i ministres Gërvalla ishte caktuar tek gjykatësi Adnan Kamberi, gjykatës në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, mirëpo “Betimi për Drejtësi” merr vesh se për shkak të largimit të tij jashtë vendit, lënda tashmë do të gjykohet nga gjykatësi Dibran Isufi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

Shija e redaktorit

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Të fundit nga rubrika