Ben Apolloni: Arti është i përjetshëm, por artistët e kanë kohën e limituar

"Artistët acarohen nga këto gjëra, nga këto vonesa sepse e dinë që arti është i përjetshëm por artistët e kanë kohën e limituar në këtë botë"

Ben Apolloni, regjisor

Në mes të tre, prej disa regjisorëve më të mirë që ka parë bota e filmit, Stanley Kubrick, Martin Scorsese dhe Woody Allen, e ka të pamundur të zgjedhë njërin prej tyre.

Regjisori kosovar, Ben Apolloni, nuk do të dëshironte të vihej në një pozitë të tillë zgjedhjeje.

Kështu në një intervistë për Dukagjinin, Apolloni diskuton rëndësinë e kinematografisë në formimin e identitetit kulturor dhe sfidat me të cilat “përballet filmi” në Kosovë. Ai përmend mungesën e mbështetjes nga institucionet shtetërore dhe vë në dukje se si kjo ndikon negativisht në zhvillimin e industrisë së filmit.

Apolloni gjithashtu trajton perceptimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ndikimin e filmave të huaj që paraqesin luftën në Kosovë, duke u shprehur kritik për mënyrën se si Serbia ka përdorur kinematografinë si mjet propagande.

Kjo intervistë zbulon jo vetëm pasionin dhe përkushtimin e Apollonit ndaj kinematografisë, por edhe sfidat dhe pengesat me të cilat përballet një regjisor në Kosovë.

Regjisori Ben Apolloni gjatë xhirimeve të “Ombrella”/ 2018

Dukagjini: Si për fillim dua t’ju pyes se kë do ta zgjidhnit në mes të: Stanley Kubrcik, Martin Scorsese dhe Woody Allen?

Apolloni: Që në pyetjen e parë ma keni bërë mat. E kam të pamundur të zgjedh veç njërin. Por, nëse do të besonim që jetojmë në një botë dhe jemi të lirë të zgjedhim, unë do t’i zgjedhja të tretë.

Dukagjini: Sa janë duke bërë për Kinematografinë institucionet kompetente, kështu me çfarë sfidash jeni përballur si kineast në Kosovë dhe si i keni tejkaluar ato?

Apolloni: Institucionet kanë bërë shumë pak për Kinematografinë dhe po vazhdojnë me këtë ritëm. Drejtuesit e institucioneve lavdërohen, ne artistët shajmë. Kjo është gjendja pra. Por ju siguroj që mes atyre që po lavdërohen dhe këtyre që shajnë, këta të fundit kanë të drejtë. Po i përmendi veç dy raste: Teatri Kombëtar është mbyllur për t’u renovuar që një vit e gjysmë dhe asnjë gozhdë nuk është ngulur aty, për ta renovuar dhe Qendra Kinematografike, tek tash në fund të dhjetorit ka shpallur konkursin për projekte për 2023, tash kur do të duhej të fillonte të bëhej gati për konkursin e 2024. Artistët acarohen nga këto gjëra, nga këto vonesa sepse e dinë që arti është i përjetshëm, por artistët e kanë kohën e limituar në këtë botë.

Dukagjini: Si regjisor, çfarë roli besoni se luan filmi në formësimin e identitetit kulturor dhe perceptimit global të Kosovës?

Apolloni: Mendoj se filmi dhe të gjitha artet kanë një qëllim që këtë botë me shumë të meta ta përmirësojnë. Po të ishte bota e përkryer, besoj se nuk do të kishte pasur art. Kurse sa i përket identitetit kulturor të një vendi dhe perceptimi të tij në botë, filmi luan rol shumë të madh sepse është art shumëpopullor, art që krijon e promovon më së miri identitetin e një vendi.

Dukagjini: Çka po mungon i Kinematografisë shqiptare, respektivisht, Kinematografisë së Kosovës, disi u bën disa vite dhe nuk po mund të dal nga zhanri dramësociale. Pasi nuk kemi një film të mirëfilltë aksion, një dramë, një horror e kështu më radhë? -Kush është fajtori këtu, mosmbështetja nga institucionet përkatëse (si QKK-ja e Ministria e Kulturës) apo ka mungesë të kreativitetit të regjisorët?

Ben Apolloni

Apolloni: Kinematografisë sonë i mungojnë shumë gjëra. I mungojnë shkollat e mira ku kineastët e rinj do të shkolloheshin seriozisht dhe ku do ta mësonin se me këtë lloj arti për t’u marrë duhet të kesh shumë talent, por edhe të punosh shumë. Unë çuditem se si njerëzit që merren me artin e shtatë, nuk e kanë kuptuar se ky art është sintezë e të gjitha arteve, pra e shtatë arteve, por nuk mjafton edhe kaq. Dikush që do të merret me kinematografi, pra të krijojë filma, duhet ta njohë edhe historinë, filozofinë, gazetarinë, religjionin, politikën… shkurt e shqip:çdo gjë.

Ju thoni që kemi mbetur te dramat sociale, por unë nuk jam i sigurt nëse kemi qenë ndonjëherë aty. Unë ende nuk e di që ne kemi realizuar ndonjë film dramë sociale të fuqishme që të tronditë, siç bëjnë vëllezërit Darden (Jean-Pierre and Luc Dardenne). Ani pse jetët tona janë të mbushura me drama tronditëse.

E di që për ata që do ta lexojnë këtë intervistë do të tingëllojë klishe kjo, por ne nuk kemi parë për të realizuar filma serioz, dhe mandej nuk kemi as kuadro të mjaftueshëm dhe nuk kemi as rrjet të kinemave. Pra, industrinë e filmit që e përmendin shumë shpesh artistët, nuk e kemi. Mund të vazhdoj edhe shumë gjatë me listën e problemeve, por nuk po ju lodhi më shumë.

Regjisori Ben Apolloni gjatë xhirimeve të “The Baby”/2018

Dukagjini: Në Serbi është duke u bërë propagandë për luftën në Kosovë përmes filmave (filma të financuar nga vetë shteti), ndërsa në Kosovë ende nuk e kemi një film serioz që paraqet luftën e fundit në Kosovë, pse po ndodh kjo?

Apollni: Po, Serbia është shtet i poshtër, por më i zgjuar se shteti ynë. Ata e dinë se sa shumë mund të ndikojë kinematografia në krijimin e imazhit të një shteti, prandaj edhe kanë investuar edhe në filma propagandistik dhe nga agresor, Serbia në botë ka krijuar përshtypjen se është viktimë. Kurse ne, qyqanët, që ishim viktimë, sot gjykohemi edhe në Hagë si kriminelë. Katastrofë!

Dukagjini: Ndërsa për fund, cilin nga këta filma do të zgjedhni: Oppenheimer, Killers of the Flower Moon dhe Coup de chance?

Apollni: Deri më tani i kam parë Oppenheimer dhe Killers of the Flower Moon, kurse filmin më të ri të Woody Allen-it ende jo. Nga këta që kam parë, Killers of The Floower Moon është masterpiece, kurse Oppenheimer është piece of shit. Nolan, që nga filmi Interstellar nuk ka bërë ndonjë film të mirë, por ka bërë pare. Më ka çuditur se si jetën e një shkencëtari e trajton si një film aksion triller. Skandal! Kurse Scorsese vazhdon të jetë top filmmaker edhe në moshën 80-vjeçare. Natyrisht edhe Woody Allen, filmin e ri të të cilit ‘Coup de chance po e pres me pa me shumë kureshtje.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika