“Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ende s’ka përfunduar”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi ende nuk ka përfunduar.

Ajo në një intervistë për gazetën malazeze “Vijesti” ka theksuar se, qeveria e Kosovës është e bindur se kjo çështje do të përmbyllet në një kohë më të favorshme kur rajoni të jetë më i qetë dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar. Kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të të dy vendeve, gjë që ende nuk është bërë. Raporti fillestar për punën e komisioneve të të dyja vendeve në Kosovë ngjalli reagime serioze në opinion dhe në institucione”, është shprehur ajo.

Sipas ministres Gërvalla, komisioni i ri i krijuar nga qeveria e Kosovës pretendon se ka konstatuar shkelje të rënda në punën e komisionit të parë.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

“Deklarata e përbashkët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, që ofron mundësinë e rishikimit të procesit, dhe korrigjimet e mundshme në dy drejtime, Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit, i mundësoi Kuvendit të Kosovës që këto tri dokumente në paketë t’i votojë si të barabarta”, ka shtuar ajo.

 

“Mospërfundimi i luftës në Ukrainë – përbën kërcënim për stabilitetin e Ballkanit”

Ministrja Gërvalla ka paralajmëruar se, nëse lufta në Ukrainë nuk përfundon së shpejti, atëherë, sipas saj, reflektimet përbëjnë një kërcënim për stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

“Nëse kjo luftë nuk përfundon shpejt dhe Rusisë i jepet mësimi që meriton, reflektimet përbëjnë një kërcënim për stabilitetin dhe paqen edhe në Ballkan”, është shprehur ajo.

Pamje nga lufta në Ukrainë

Po ashtu, ajo ka thënë se, Serbia ka ambicie hegjemoniste “për të sunduar të gjitha vendet fqinje me origjinë nga ish-Jugosllavia, është njësoj si Federata Ruse, e cila dëshiron të kthejë në pushtet vendet e dala nga ish-Bashkimi Sovjetik”.

Siç ka theksuar Gërvalla, përafrimi i Serbisë ndaj Rusisë duke mos vendosur sanksione, dhe dënuar agresionin rus në Ukrainë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në thelb është i njëjtë me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Politika dhe kërcënimet aventureske të Serbisë nuk duhet të vënë në gjumë asnjë vend në Ballkan. Përkundrazi, të gjithë duhet ta marrim shumë seriozisht”, ka shtuar ajo.

 

“Vetëm të bashkuar nën mbrojtjen e NATO-s do të jemi më të sigurt”

Kur kryediplomatja Gërvalla pyetet se a mund të jetë lufta në Ukrainë një nxitje për Bashkimin Evropian (BE) për të përshpejtuar negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor, ajo ka thënë se, duke qenë të bashkuar nën mbrojtjen e NATO-s dhe nën kujdesin e BE-së “do të jemi më të sigurt”.

Flamuri i Baskimit Evropian dhe ai i NATO-s

“Tashmë e shohim se rreziku për një vend në Evropë është rrezik për të gjithë Evropën dhe më gjerë. Pra, vetëm të bashkuar nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe nën mbrojtjen e NATO-s, të gjithë do të jemi më të sigurt, do të kemi mundësinë të jemi më të zhvilluar dhe të ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta”, ka thënë ajo.

 

“Kosova – e izoluar pa faj”

Gërvalla tutje për mediumin malazez “Vijesti” ka theksuar se, Evropa nuk duhet të pëngohet nga procedurat e saj burokratike, por nga përshpejtimi i procedurave për integrimin e të gjithë rajonit në strukturat e BE-së dhe NATO-s.

“Në këtë drejtim, Kosova ka mbetur prapa pa faj. Kosova është i vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave, andaj tani ky izolim i padrejtë i qytetarëve të një vendi në zemër të Evropës duhet të marrë fund”, është shprehur ajo.

Ilustrim- Kosova pa Viza

Ndryshe, Gërvalla ka treguar se janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme për të vendosur marrëdhënie kontraktuale në nivelin më të lartë të mundshëm me NATO-n, dhe anëtarësimin në strukturat e tjera të BE-së dhe më gjerë.

Sipas saj, pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, paraqesin një pengesë serioze në këtë drejtim.

“Prandaj, shfrytëzojmë rastin t’u bëjmë thirrje këtyre vendeve që ta njohin Kosovën. Nuk ka arsye për ta zvarritur. Përkundrazi, është më urgjente se kurrë, që ky rrëfim të bëhet sa më parë. Kjo do të siguronte paqen në rajon dhe do të mbyste ambiciet e Serbisë për zgjerim në dëm të Kosovës dhe vendeve të tjera”.

 

“Ballkani i Hapur – projekt i dështuar”

Një ndër temat e diskutuara gjatë kësaj interviste është edhe projekti për Ballkanin e Hapur (Open Balkan), nismë këtë të cilën Gërvalla e ka quajtur si projekt të dështuar.

Ministrja Gërvalla ka theksuar se, kjo nismë nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si aspiratë e Serbisë për dominim politik dhe ekonomik mbi vendet e rajonit.

Ballkani i Hapur

“Çfarë flet Serbia për Ballkanin e Hapur kur nuk i hap as kufijtë e as për kufomat e njerëzve që vrau në luftën e përgjakshme në Kosovë 23 vjet më parë? Serbia duhet së pari të kërkojë falje për gjenocidin që ka kryer në Kosovë, si hap i parë i vullnetit të mirë”.

“Pas rreshtimit të Serbisë me Rusinë pas pushtimit rus të Ukrainës, mendojmë se duhet të jetë e qartë për vendet që iu bashkuan projektit, se tashmë është një projekt i dështuar që për fat të mirë dështon që në fillim”.

Ajo ka ripotencuar se Kosova nuk do të jetë pjesë e asnjë nisme me të cilën nuk është e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika