Deputetja e PDK-së dhe njëherësh nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kandidates për presidente nga LVV-ja, Feride Rushiti, që të tërhiqet nga gara.
Në një konferencë për media, Çitaku e ka cilësuar procesin aktual për zgjedhjen e presidentit si antikushtetues dhe i ka kërkuar Rushitit që të mos bëhet pjesë e tij.
“Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit, e cila është e dëmshme për shtetin dhe për atë vetë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po shkel Kushtetutën për interesa politike, duke e cilësuar këtë si rrezik për themelet e shtetit.
Çitaku ka shtuar se PDK kundërshton, siç tha ajo, “dhunën politike” dhe veprimet antikushtetuese në Kuvend, duke përsëritur thirrjen që Rushiti të mos e “huazojë emrin e saj për interesa ditore politike”.
“Kur një kryeministër lider politik zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë kushtetutën për pushtet të përkohshëm ai bëhet rrezik edhe për vetë themelet e shtetit. Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi kushtetutën dhe ligjet dhe këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët e Kosovës do ta ndalojmë. Ky është qëndrimi i PDK, stop dhunës politike në Kuvend, stop veprimeve antikushtetuese, i bëjmë thirrje zonjës Feride që mos të bëhet pjesë e maskaradës pulitke në Kuvend mos ta huazojë emrin e saj për interesat ditore të Albin Kurtit”, ka deklaruar ajo.