Çka përfiton Kosova nga plani evropian?- flet ambasadori Hovenier

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka renditur kriteret e dobishme për Kosovën nga plani evropian, dhe ka treguar më në detaje se pse është e rëndësishme që shteti kosovar t'i ketë ato kritere në kuadër të marrëveshjes me Serbinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i ftuar në emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin. Foto 1 mars 2023.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, në intervistën ekskluzive për emisionin Debat Plus me Ermal Pandurin, ka renditur përfitimet që ka Kosova nga marrëveshja me Serbinë në bazë të planit evropian.

Sipas tij, në planin evropian ka një sërë kriteresh që Shtetet e Bashkuara mendojnë se janë shumë në interes të Kosovës, dhe se kjo paraqet ujdinë më të mirë që është e mundur në këtë moment, për ta çuar përpara çështjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Aty janë një varg gjërash që ne mendojmë se janë shumë në interes të Kosovës: referenca për paprekshmërinë e kufijve, respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial, mbrojtjen e pakicave kombëtare, pajtimin për të zhvilluar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta, zotimet se palët do t’i njohin dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e veturave, vulat doganore, që do të udhëhiqen nga parimet, siç janë sovraniteti dhe barazia e të gjitha shteteve, respektimi i pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial, e drejta për vetëvendosje, mbrojtja e të drejtave të njeriut, mosmarrëveshjet do të zgjidhen me mjete paqësore, e jo përmes kërcënimeve apo përdorimit të forcës”, ka treguar ambasadori Hovenier, gjatë intervistës në emisionin Debat Plus.

Hovenier, pa vazhduar më tej me pikat në interes të Kosovës për marrëveshjen mbi planin evropian, ka veçuar se në fund është një dispozitë se palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë, prej të cilëve, sipas tij, bën pjesë edhe ShBA-ja.

“SHBA-ja sigurisht është në këtë klub – që do të krijojë një paketë të veçantë investimi dhe mbështetjeje financiare për projektet e përbashkëta në zhvillim ekonomik, lidhje, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kryesore”, ka thënë ai.

Më tej, duke përmendur përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje, ai ka thënë se është e rëndësishme që shteti kosovar t’i ketë këto zotime, pasi, sipas tij, nuk do të ketë më mosmarrëveshje për targat e veturave, pasaporta apo letërnjoftime.

“Mendoj se është mjaft e rëndësishme për popullin e Kosovës që i kanë këto angazhime për investime ekonomike dhe mbështetje financiare shtesë. Dhe që kjo marrëdhënie, kjo rrugë drejt normalizimit, të ecë përpara – mendojmë se përbën hap të rëndësishëm përpara. Gjithashtu, me siguri e bën Kosovën edhe më tërheqëse për investitorë, duke mbështetur ekonominë tuaj për krijimin e vendeve të punës, përparim dhe rritje ekonomike”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ambasadori Hovenier ka treguar se në bashkësinë ndërkombëtare ndodh rrallë kur në një situatë kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës dhe presidenti i Italisë personalisht investojnë, siç po ndodh tani.

“Ata po i shkruajnë letër kryeministrit para negociatave me kërkesa specifike. Apo që zyrtarët e nivelit shumë të lartë të ShBA-së angazhohen. Apo që i tërë Bashkimi Evropian ka lëshuar – si pjesë të Përmbledhjes së konkluzioneve – pika specifike në mbështetje të saj”, ka vijuar ai.

Ndërsa, ai është pyetur se kush do t’i garantojë të gjitha këto kritere në interes të Kosovës, dhe nëse të gjitha këto kritere të ngritura në marrëveshje do të përmbushen.

“E dini, garancitë janë gjithmonë çështje e vështirë për çdo organizatë ndërkombëtare. Do të thosha këtë: atë që po e shoh tani e kam parë pak herë gjatë karrierës sime dhe unë jam diplomat profesionist pothuajse që 33 vjet. Keni angazhim personal të kancelarit gjerman, presidentit francez, presidentit italian. E keni parë letrën e presidentit Biden për presidenten Osmani me rastin e Ditës së Pavarësisë, që në mënyrë specifike i referohet këtij procesi. Keni emisarë të posaçëm që angazhohen në mënyrë aktive që vërtet e shtyjnë këtë çështje përpara dhe do të vërë në pah se njëri nen i referohet një komisioni të përbashkët të kryesuar nga BE-ja për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes”, është shprehur ai.

Ambasadori Hovenier, gjithashtu, ka thënë se ShBA do të jetë tejet mbështetëse për zbatimin e marrëveshjes të propozuar nga BE, teksa ka shtuar se kjo marrëveshje nuk është e fundit, por është e përkohshme.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika