Debati parlamentar për situatën në veri, të gjitha çka u thanë të premten në Kuvend

Ky debat parlamentar erdhi pas zhvillimeve të fundit në komunat në veri të Kosovës, aty ku serbët lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve të zgjedhur. Protestat nisën më 26 maj dhe po vazhdojnë akoma. Si jo rrallëherë, Kurti deklaroi se Serbia përmes grupeve kriminale në veri nuk e lejon shtrirjen e demokracisë. Ndërkaq, kritikat e opozitës qenë të shumta

Të premten e 2 qershorit, Kuvendi i Republikës së Kosovës nisi debatin parlamentar për situatën në veri të Kosovës.

Lidhur me tensionet e fundit në veri të vendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se  eskalimi i situatës në veri të Kosovës ishte i planifikuar mirë nga ana e Serbisë.

Ai tha se për këtë gjë ka edhe prova, foto e video.

“Më 29 maj, një pjesë e mirë e bandave kriminale u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën, kemi pamje të mjaftueshme, me video dhe foto, se ishte mirë i organizuar, dhe kishte autorë, ai është Beogradi zyrtar”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se Jabllanviqi është kërcënuar nga Beogradi, duke ia pamundësuar kandidimin. Sipas tij, po të kandidonte, sot do të ishte kryetar i Leposaviqit. Tutje, ai theksoi se Policia e Kosovës ka hyrë në objekte komunale me forcë. Shoqërimi i kryetarëve të veriut, sipas Kurtit, ka qenë vlerësim i institucioneve të sigurisë që e kanë vlerësuar shkallën e rrezikshmërisë.

Si jo rrallëherë, Kurti deklaroi se Serbia përmes grupeve kriminale në veri nuk e lejon shtrirjen e demokracisë.

Ai në Kuvendin e Kosovës ka thënë se qasja e ndërkombëtarëve nuk duhet të jetë e njëjtë, si për Kosovën, si për Serbinë, pasi sipas tij, kjo e fundit nuk është aspak demokratike.

“Qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Serbia është vend autokratik, nuk është vend demokratik. Aty shkelen liritë e njeriut, shtypet opozita dhe Rusia e ka qendrën e saj rajonale. Ne shqiptarët jemi 93% në Kosovë, sa shumë parti kemi. Aty në rreshtin e fundit i kemi pakicat jo serbët, i kemi romët, ashkalit, egjiptianët, boshnjakët, turqit, secila pakicë kombëtare i ka disa parti. Në vendin tonë ekziston një komunitet që nuk po lejon më shumë se një parti, vetëm Lista Serbe dhe asnjë tjetër. Kosova sot nuk është demokratike në veri, sepse Beogradi nuk lejon më shumë se një parti. Beogradi dëshiron një parti, shtet, një udhëheqës, një kishë. Nuk ka demokraci pa pluralizëm politik”, ka thënë ai.

Gjersa tema vazhdonte, eventualisht Kurti bëri publik emrat e personave dhe të organizatave kriminale që morën pjesë në protestën e dhunshme në veri.

“Rolin kryesor për organizimin e protestuesve në terren janë duke e kryer anëtaret e formacionit ilegal të së ashtuquajturës mbrojte civile dhe ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës ku është parë prezencë e madhe e tyre në terren. Këto protesta, me gjithë dashakeqësinë e tyre, neve na kanë shërbyer që të bëjmë identifikime të vlefshme”, ka deklaruar Kurti në Kuvendin e Kosovës. “Mirollad Jevtiq është njëri nga udhëheqësit e këtij formacioni ilegal. Shtëpia e tij është shndërruar në Zveçan, në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj strukture. Po ashtu, prezencë të madhe të përfaqësuesve politikë të Listës serbe në atë shtëpi”.

Po ashtu, kryeministri Kurti ka përmendur edhe Miqko Jevtiq, i cili sipas tij është pjesëtar i formacionit ilegal, i së ashtuquajturës mbrojtje civile në Zveçan, bashkë më të Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në komunën e Zveçanit (babai i Miqko Jevtiq).

“Danillo Josifoviq – i njohur me nofkën “Prki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal “Mbrojtja civile”. Liljana Aksintejiviq ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale së Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, ai ka përmendur edhe Vladimir Radivojeviq që ka njohje të drejtpërdrejtë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Peter Millosheviq, Dejan Jevtiq, Nikolla Baldini, Millan Zhivkoviq, Vuk Brankoviq, Lluka Vllaskoviq, Bozhidar Todoroviq dhe Radisha Denoviq ishin emrat e tjerë të përfshirë në listën e Kurtit.

Më 31 maj, nga Policia janë arrestuar dy serbë, Ivan Sekuliq dhe Sinisha Jeviq, ata kanë poseduar mjete të dyshimta.

Gjithashtu, Kurti ka thënë se personat që po i shohim të maskuar janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandar Filipoviq, “që shtirej se është i integruar në shtetin tonë. Ky është personi kryesor që po i drejton ata”.

Reagimet dhe kritikat nga opozita nuk munguan.

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti u është kundërpërgjigjur kërkesave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët thanë se kriminelët në veri duhet të arrestohen.

Kurti ka ironizuar me dy liderët opozitarë, duke i pyetur se si duhet t’i bëjë këto arrestime, me koordinim me ndërkombëtarët apo pa u koordinuar.

“Ju falënderoj për thirrjen t’i arrestoj kriminelët, e kam një pyetje për ju, arrestimin ta bëj me koordinim a pa koordinim. Ju bëtë thirrje që njësia speciale të marrë urdhër t’i arrestojë kriminelët. Ju falënderoj për këtë sjellje shtetërore. Për shkak të diskursit tuaj, më duhet të ju pyes, a me koordinim a pa koordinim. Pra, arrestimin po e bëjmë se ju thatë, ma dhatë mbështetjen, nëse kam pasur një dilemë, ju ma hoqët, por më tregoni me koordinim a pa koordinim”, ka thënë ai.

Tutje, Kurti ka shkaktuar të qeshura edhe kur i është drejtuar deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, se a duhet të arrestohen kriminelët “ me shurdhuese apo pa shurdhuese”. Duke aluduar kështu në një revole të blerë me silenciator vite më parë nga deputeti në fjalë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, sërish ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të shkojë së bashku me të në veri të vendit dhe të shohin situatën nga afër.

Ai e ka fajësuar Kurtin për shtrembërim të situatës në veri duke i kërkuar të shkonin në veri, ngase, sipas Krasniqit, Kurti e kishte të lehtë të fliste nga Prishtina.

“Pse nuk po e dërgon Erden Atiqin në komunë? Hajde shkojmë në veri e të çojmë Erden Atiqin në komunë, nuk është komuna në Çabër, as në Lipë, as në mahallë të boshnjakëve. veriun e ke parë kur ke shkuar me 40 policë, nuk guxoni të shkoni atje”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar sërish se Kurti është çlirimtar i serbëve, duke thënë se heroi i Albin Kurtit është Oliver Ivanoviqi.

Jo më ndryshe, Kurti u kritikua edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Lumir Abdixhiku, LDK

Abdixhiku ka thënë se ka një dallim substancial te veprimet e kryeministrit Kurti, e që ky dallim, sipas Abdixhikut, është tradhti. Ai tha se se sjellja e Kurtit, të cilën e cilësoi “fëmijërore” e “populliste”, nuk ka të bëjë me “patriotizëm”.

“Unë besoj që me kryeministrin e vëreni një dallim substancial e që është ideologjik, sepse ky koordinimin siç e ka thënë e siç e sheh, e siç e shpreh dhe me trup e me gjuhë, e sheh njëfarë poshtërimi. ‘A doni koordinim a çfarë doni ju?’..kjo është shprehja e tij. Për ne, koordinimi me aleatë e me miq, ata që të janë gjendur në momentin më të vështirë historik, që ditën kur kanë nisur me u marrë me Kosovë, kemi thënë ken shpëtuar, me ata të cilët i përballim ato shkronja Z, ato banda kriminale, me ta duhet ta shtrojmë sovranitetin në veri. Ky dallim është substancial, e jotja çka po bën është tradhti…sepse të zgjedhësh politikisht, të sillesh kundër Kosovës, NATO-s, BE, SHBA dhe aleatët tonë gjithandej me deklarata publike, të zgjedhësh të krijosh një vëmendje shtetërore në ditën kur Vuçiq në Serbi përballet me një propagandë dhe ti asiston t’i heqësh atë vëmendje atij, ta marrësh këtë barrë në emër të Kosovës, kjo s’ka lidhje me patriotizëm e dinjitet. Kjo është sjellje fëmijërore, populliste”, ka thënë ai.

“Aleksandër Vuçiqi të ka vendosë në kurth. Ta ka vendosë një marrëveshje kriter evropian për çdo gjeneratë të ardhshme. Ti e ke pru vetëmenaxhimin në Kosovë, autonominë e ke sjellë ti. Autonomia ka emrin ‘Albin Kurti’, ke rënë në grackën e tij të propagandës, dy mjeshtër të propagandës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku ka vlerësuar se është kreu i ekzekutivit Kurti, ai i cili ka sjellë vetëmenaxhimin në Kosovë.

Qeveria e Kurtit u kritikua edhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). E kjo nxiti reagimen e ministres Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës(MPJD), Donika Gërvalla, ka kritikuar Qeverinë e kaluar, të kryesuar nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, duke theksuar mungesën e kredibilitetit të saj.

Gërvalla ka thënë se presidentit të Amerikës nga Qeveria e kaluar i janë premtuar gjëra të pamundura për t’u realizuar, dhe ka akuzuar se ata e kanë gënjyer atë në sy të tij.

“Që nga Qeveria Hoti, as LDK-ja më nuk ka kredibilitet. Personalisht, presidentit të Amerikës i kanë premtuar gjëra të pamundura për t’u implementuar, të cilat e kanë ditur që nuk kanë për t’i realizuar kurrë dhe nuk i ka ardhur turp ta gënjejnë në sy presidentin e atëhershëm amerikan”, ka deklaruar ajo.

Ministrja Gërvalla ka deklaruar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeveria Kurti i ka gjetur në nivelin më të dobët dhe i ka akuzuar deputetët e opozitës se e gënjejnë ShBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Tutje, ajo ka theksuar se partnerët e Kosovës, si ShBA-ja dhe BE-ja, nuk presin dhe as nuk kërkojnë nënshtrim ose servilitet nga Kosova.

Ky debat parlamentar vjen pas zhvillimeve të fundit në komunat në veri të Kosovës, aty ku serbët lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve të zgjedhur.

Protestat nisën më 26 maj, me mbledhjen e serbëve lokalë para objekteve të komunave, me qëllim pengimin e hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet, në të cilat u zgjodhën këta kryetarë, u bojkotuan nga shumica e qytetarëve serbë.

Njëherit, më 29 maj, trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan, me ç’rast rreth 30 ushtarë u lënduan.

SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët e komunave të punojnë nga ndërtesat komunale dhe largimin e forcave të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier, ka ritheksuar se, sipas tij, veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë krijuar situatat e fundit në veri.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika