Deputeti i VV-së kundër projektligjit për buxhetin e vitit 2023

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka deklaruar se është kundër projektligjit për buxhetin e vitit 2023

Kuvendi i Kosovës





Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka thënë se nuk do të votojë pro projektligjit për buxhetin e vitit 2023.

Ai është shprehur se ky projekt buxhet dëmton sigurinë e vendit dhe se po anashkalon veteranët e luftës, sigurimin e policisë dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Jam deklaruar edhe para Lëvizjes Vetëvendosje se nuk do ta votoj këtë buxhet sepse nuk ka të drejtë askush të anashkalojë këto vlera kur ne shohim që Serbia, vlerën e luftës së humbur të viteve 1400 i motivon popullatën e vetë të qëndrojë në Kosovë dhe të luftojë kundër Kosovës. Kurse ne njerëzit e gjallë, familjet e gjalla të cilat janë, ne i injorojmë dhe ky injorim duhet të ndërpritet dhe besoj që në leximin e dytë duhet të ndryshohet kjo qasje në raport me këtë kategori. Uroj që të reflektojë Qeveria”, ka thënë Humolli.

“Po ndalem në sektorin ku ky projekt buxhet e dëmton sigurinë e vendit për arsye se motivimin për mbrojtje të vendit e pengon duke anashkaluar çështjen e veteranëve të luftës, duke anashkaluar sigurimin e Policisë, duke anashkaluar sigurimin e FSK-së”.

Kuvendi i Kosovës është duke e shqyrtuar në parim projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Buxheti i Kosovës për vitin 2023 i cili do jetë 3,2 miliardë euro, është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e cila është mbajtur gjatë muajit tetor të këtij viti.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2023 të prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtij buxheti i mungon plani zhvillimor dhe nuk i reflekton kërkesat esenciale të qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, ky buxhet nuk ka të bëjë me rritje reale ekonomike.

“Rritja ekonomike siç thuhet për vitin 2023 është imagjinare dhe bie në kundërshtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, ka thënë Lushtaku.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, në lidhje me deklaratën e Kurtit se është buxheti më i madh për vitin, ka thënë “kjo lëvdata që kemi buxhetin më të madh në histori qëndron çdo vit” pasi sipas tij, Kosova është shtet i vogël në zhvillim e sipër.

“Nuk ka asnjë zgjidhje të një problemi të vetëm, kemi një ndarje anemike te dikasteret e qeverisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Pal Lekaj nga AAK-ja ka thënë se buxheti nuk përputhet me nevojat e qytetarëve të Kosovës, pasi siç thotë ai, Kosova është në një gjendje ekonomike sociale të rëndë.

“Nuk reflekton me gjendjen që është sot Kosova”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e 17 nëntorit në Kuvendin e Kosovës ka thënë se viti i kaluar ishte më i suksesshmi në historinë e Kosovës sa u përket të hyrave dhe rritjeve ekonomike, kështu sipas tij duke mundësuar që Kosova të ketë konsolidim të financave publike.

Ai ka bërë të ditur se buxheti i vitit 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, gjersa ka shtuar, “Përveç se më i larti ndonjëherë, dyfish më i lartë se buxheti që e patëm trashëguar në vitin 2021”.





Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika